Medin Haliloviç
08 Qershor 2022•Përditësim: 09 Qershor 2022
Doganierët serbë në bashkëpunim me policinë kanë penguar tentativën për kontrabandimin e më shumë se 700 mijë eurove të padeklaruara dhe dy smeraldë në pikën kufitare të Preshevës drejt Maqedonisë së Veriut, pas çka u sekuestrua automjeti me të cilin u kontrabanduan mallrat dhe vlera e përgjithshme shkoi në mbi 840 mijë euro, transmeton Anadolu Agency (AA).
MPB-ja e Serbisë njoftoi se pjesëtarët e Departamentit Kundër Korrupsionit, Departamenti i Nishit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Drejtorinë Doganore dhe me urdhër të Departamentit Special Kundër Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Nish, arrestuan shtetasin gjerman A.A. (1986) dhe shtetasin ukrainas A.N. (1982) për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të pastrimit të parave.
Policia ka gjetur para të padeklaruara – 607.990 euro, 124.924 dollarë si dhe dy smeraldë, në pikën kufitare të Preshevës gjatë kontrollit të një automjeti BMW i drejtuar nga A.A., i shoqëruar nga A.N., njofton MPB-ja e Serbisë.
Ata akuzohen se kanë pasur për qëllim transportimin e parave dhe gurëve të çmuar, të cilat dyshohet se vijnë nga aktivitete kriminale, përmes pikës kufitare dhe t'i nxjerrin jashtë Serbisë.
Të gjitha paratë e gjetura, gurët e çmuar, vetura dhe të dy pasagjerët i kaluan për procedurë të mëtejshme Prokurorisë së Lartë Publike dhe ndaj tyre do të zhvillohet procedimi penal.