Ayhan Şimşek
29 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në konferencën e përbashkët për media me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të vazhdojnë bisedimet mes tensioneve në rritje midis dy vendeve të Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA).
- Rama dhe Zaev takojnë kancelaren Merkel në Berlin
Macron tha se takimi i Ballkanit Perëndimor, si iniciativë e përbashkët franko-gjermane, do të diskutojë tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, stabilitetin në rajon dhe perspektivën e Bashkimit Evropian (BE) të vendeve të këtij rajoni.
“Ne do të donim të shohim vazhdimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ne nuk kemi për qëllim të diktojmë ndonjë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne duam të shohim të gjitha opsionet e mundshme dhe të përpiqemi të kemi një diskutim më pak emocional”, deklaroi Macron.
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës është pezulluar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, pasi Beogradi protestoi ndaj vendimit të Prishtinës për vendosjen e tarifave ndaj të gjitha mallrave serbe.
Kancelarja Merkel, nga ana e saj, riafirmoi mbështetjen për perspektivën e BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Është në interesin tonë, është në interesin e Evropës, të shohim zhvillime pozitive në këtë rajon”, u shpreh Merkel.
Merkel dhe Macron janë nikoqir të udhehqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin për samitin joformal për të diskutuar vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon.
Ata ftuan krerët e vendeve anëtare të BE-së, Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe ato të gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, të gjitha vende që aspirojnë të anëtarësohen në BE, por që përballen me pengesa të ndryshme politike apo ekonomike.
Iniciativa franko-gjermane vjen në një kohë kritike në rritje lidhur me ndikimin e Kinës në Ballkan dhe projektin ambicioz të Rrugës së Re të Mëndafshit.
Politikanët francezë dhe gjermanë viteve të fundit kanë shprehur skepticizëm lidhur me bashkëpunimin e zgjeruar politik dhe ekonomik ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe aktorëve rajonalë si Rusia dhe Turqia.