Fatjon Cuka
29 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Konferenca për Ballkanin Perëndimor ka mbledhur liderët e rajonit në Berlin, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, para samitit janë takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, raporton Andolu Agency (AA).
Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim me kancelaren e gjermane, në kuadër të Konferencës për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë thuhet se në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
“Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e Qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Evropian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama e falënderoi kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë me tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se në takim u diskutua edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë “drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, para fillimit të Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Berlin, ka pritur në takim edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ishte i shoqëruar nga zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe kryediplomati Nikolla Dimitrov.
Siç njofton Qeveria e Maqedonisë së Veriut temë kryesore në takim ishin përfitimet nga Marrëveshja e Prespës, e arritur me palën greke, për stabilitetin, bashkëpunimin dhe paqen në rajon.

“Në mënyrë reciproke u konkludua se Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prepsës është një shembull pozitiv në Ballkan dhe se ky sukses është një inkurajim për të gjitha vendet pjesëmarrëse në konferencën për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet se kryeministri Zaev dhe kancelarja Merkel theksuan rëndësinë e përfitimeve ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ata po ashtu theksuan se një bashkëpunim i tillë “duhet të intensifikohet në të gjithë rajonin”.
Ndryshe, sot në Berlin me ftesë të kancelares Merkel mbahet takimi mbi Ballkanin Perëndimor, ku përveç kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranishëm janë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Në takim janë të ftuar edhe kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, Marjan Sharec dhe Andrej Plenkoviq.