BALLKANI

Rita Ora në pullat postare të Kosovës

Pulla me imazhin e Rita Orës do të lëshohet në qarkullim postare më 26 nëntor 2022, në ditëlindjen e artistes shqiptare dhe britanike

Agim Sulaj  | 25.11.2022 - Përdıtësım : 25.11.2022
Rita Ora në pullat postare të Kosovës Foto: Posta e Kosovës/AA

Prishtinë

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Posta e Kosovës, pulla me imazhin e Rita Orës do të lëshohet në qarkullim postar më 26 nëntor 2022, në ditëlindjen e artistes shqiptare dhe britanike.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

"Është një nder për Postën e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë", tha Kadiu.

Gjatë karrierës së saj të bujshme, këngëtarja me prejardhje nga qyteti i Pejës, Rita Ora, u shpërblye dhe nderua me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ajo e bart titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015, derisa me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuojë për imazhin e të gjithë shqiptarëve, duke shfrytëzuar çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar.

Filatelia e Postës së Kosovës, përgjatë mbi 20 viteve ka nderuar dhe promovuar për mbi 20 vite personalitete të shquara të kulturës shqiptare.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.