Agim Sulaj
08 tetor 2021•Përditësim: 09 tetor 2021
Posta e Kosovës ka promovuar pullën e re postare “Vaksinohu – shpëto jetë”, me qëllim të vetëdijesimit të popullatës nga mbrojtja prej koronavirusit të ri (COVID-19) dhe ruajtja e shëndetit publik, raporton Anadolu Agency (AA).
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu tha se ky emision i pullave postare është bërë me mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë si dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.
“Ky emision i pullave postare përmbledhë një fushatë të fuqishme me të cilën Filatelia e Postës së Kosovës tenton ta parandalojë dhe mbron popullatën kosovare nga një armik, infektimi nga virusi COVID-19”, tha Kadiu.
Kadiu tha se ka pasur rezervë nga nënat shtatzëna, ato gjidhënëse dhe nga fëmijët që të vaksinohen ndërsa ky emision i pullave postare i dedikohet veçanërisht këtyre kategorive.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se janë 12.345 vaksina të administruara tek nënat shtatzëna dhe nënat gjidhënëse ndërsa sipas tij edhe kjo pjesë e shoqërisë është e informuar drejtë se vaksinimi është e vetmja armë për t’u mbrojtur nga COVID-19
“Së bashku me Postën e Kosovës në këtë formë të projektit, me emetimin e pullave postare dhe me bashkëpunimin me UNICEF-in, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që hezitojnë, duke përfshirë edhe mësimdhënësit që të vaksinohen sepse kështu kujdesen për shëndetin publik dhe kujdesi i shëndetit publik flet për fëmijë të shëndoshë në të ardhmen”, tha ai.
Blerta Arifi, nënë e dy vajzave dhe shtatzënë njëkohësisht me dy vajza binjake, tha para të pranishmëve se e ka marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa pret që ta pranojë edhe dozën e dytë.
Ajo tha se pa hezitim ka pranuar marrjen e vaksinës, që nga fillimi dhe ka inkurajuar edhe familjen dhe rrethin për t’u vaksinuar.
Në Kosovë prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 1.4 milionë doza të vaksinës ndërsa 588.481 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.