Abdula Berisha
02 Korrik 2021•Përditësim: 03 Korrik 2021
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me ndihmëssekretarin në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ku u fol rreth procesit të integrimit të vendit në Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Zaev falënderoi përfaqësuesit e Departamentit amerikan të Shtetit për pjesëmarrjen në Forumin e Prespës për Dialog, si dhe për ndihmën amerikane në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
"Hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë më i lartë strategjik dhe shfrytëzoj këtë mundësi edhe një herë ta theksoj atë që besoj është e qartë edhe për Brukselin, se çështjet dypalëshe nuk kanë vend në kornizën negociuese, qëndrim për të cilin pa mëdyshje u pajtuam me ndihmës sekretarin shtetëror, Philip Reeker", tha Zaev.
Ai gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët me Bullgarinë, por theksoi se ka disa çështje për të cilat nuk mund të negociohet.
"Brukseli duhet që në mënyrë të ndershme të përballet me situatën në të cilën është vendosur, angazhimin strategjik për zgjerim të mëtejmë në Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të mbledhë fuqi të shpallë këtë vendim deri në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet këtë vjeshtë. Ne kemi mbështetjen e SHBA-së në këtë drejtim dhe ka një rëndësi të madhe", tha Zaev.
Ndihmëssekretari në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, përshëndeti organizimin e Forumit të Prespës për Dialog, në të cilin tha se u diskutua avancimi i bashkëpunimit rajonal, që, siç theksoi ai, është i rëndësishëm edhe për SHBA-në.
"Vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, të them të drejtën, ka qenë i qëndrueshëm nëpër disa administrata dhe për dekada. Është vizioni i një rajoni që është në paqe me vetveten, me fqinjët e tij dhe plotësisht i integruar në kornizat evropiane dhe euro-atlantike", tha Reeker.
Ai theksoi se administrata Biden është përqendruar të punojë në përpjekjet ekzistuese në Ballkan si pjesë e prioritetit të përgjithshëm të SHBA-së për të ringjallur marrëdhëniet trans-atlantike.
"Unë e kam theksuar këtu gjatë kësaj konference dhe në shumë takime dypalëshe që kam pasur, se Maqedonia e Veriut është Evropë. Ky është një vend evropian. Unë fluturoj këtu për në Evropë. Dhe kjo sigurisht që nuk është e ngulitur vetëm në historinë tuaj, por vërtet në gjeografinë tuaj", tha Reeker.
Diplomati amerikan gjithashtu i bëri thirrje BE-së që sa më shpejt të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shtuar se kjo sjell më shumë prosperitet dhe paqe.
Zaev dhe Reeker ishin në Ohër ku morën pjesë në Forumin e Prespës për Dialog i cili dje dhe sot u organizua për herë të parë nga Maqedonia e Veriut.