Fatjon Cuka
20 Maj 2021•Përditësim: 20 Maj 2021
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin "Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës", raporton Anadolu Agency (AA).
Pas diskutimeve në seancën parlamentare, projektligji është miratuar me 93 vota pro të deputetëve.
Gjatë fjalës në seancë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se projektligji është me rëndësi historike për Shqipërinë.
Ajo theksoi se ky traktat që vjen pas 87 vitesh zëvendëson traktatin e parë dypalësh të ekstradimit të nënshkruar në vitin 1933.
"Marrëveshja e re e ekstradimit shënon një hap të rëndësishëm në rrugën kundër krimit, duke ofruar kështu instrumente të rinj për të luftuar me efikasitet edhe format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe forcimin e instrumenteve për vënien para drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona", theksoi Gjonaj.
Ajo tha ndër të tjera se traktati i ri lehtëson funksionim e procesit të ekstradimit ndërmjet palëve.
"Traktati i ekstradimit shërben si një sinjal i qartë për të garantuar bashkëpunimin sa më të efektshëm ndërmjet dy shteteve tona në luftën kundër krimit, ndaj të gjithë shkelësve të ligjit", theksoj ministrja Gjonaj.
Projektligji në fjalë pasi të dekretohet nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Traktati i ekstradimit Shqipëri-SHBA është nënshkruar ndërmjet palëve më 22 dhjetor 2020. Traktati ka si qëllim krijimin e një kuadri të ri rregullativ, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese, lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve dhe garantimin e bashkëpunimit për të luftuar krimin.