Zülfiya Yakup
24 Korrik 2019•Përditësim: 25 Korrik 2019
Kryeministri i Kosovës në dorëheqje dhe një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinaj, sot u paraqit në Hagë në Gjykatën Speciale për Krime të Luftës në Kosovë në cilësinë e të dyshuarit dhe u mbrojt në heshtje, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas intervistimit në Prokurorinë Speciale, Haradinaj deklaroi se ai pranoi këshillën ligjore që fare mos t’u përgjigjet pyetjeve të parashtruara dhe se me këtë paraqitje përmbushi detyrimet e tij ndaj gjykatës.
“Sot iu përgjigja thirrjes së Gjykatës Speciale si i dyshuar. Shfrytëzova të drejtën ligjore që të hesht. Me këtë përmbusha detyrimin tim. Nuk më dhanë informacione konkrete, por u fol për rolin tim në luftë”, deklaroi Haradinaj para gazetarëve në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai gjithashtu tha se Prokuroria i tha atij se sipas ligjit nuk e kanë patjetër t’i japin ndonjë shpjegim shtesë. Ai përsëriti se dha dorëheqjen si kryeministër në mënyrë që të paraqitej para Gjykatës Speciale si qytetar i Kosovës, jo si kryeministër.
Haradinaj theksoi se do të vazhdojë të angazhohet në politikë si më parë, por gjithmonë do të respektojë ligjin dhe shtetin e tij. Ai tha se do të mbetet i përkushtuar ndaj politikës së tij.
“Ne jemi për dialog pa kushte, jemi për marrëveshje për njohje me Serbinë dhe tregun për njohje, e jo për disa formula tjera që janë të papranueshme për Kosovën”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se do t'i përgjigjet thirrjes për konsultime për zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse ftohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai gjithashtu konstatoi se ngjarjet në lidhje me Gjykatën Speciale nuk janë të thjeshta, sepse ai ishte i detyruar të jepte dorëheqje dhe se vendi ishte i detyruar të shkonte në zgjedhje në kohën kur tema të tjera duhet të kishin qenë në rregull.
Haradinaj, i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të UÇK-së për Dukagjinin, në Gjykatën e Hagës dy herë është gjykuar për krime lufte dhe dy herë është liruar.
Para Dhomave të Posaçme të Kosovës në Hagë sot u paraqit edhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-zëdhënësi i saj, Jakup Krasniqi. Sipas të dhënave të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, që nga janari i këtij viti kur Prokuroria Speciale e Kosovës me seli në Hagë filloi me dërgimin e ftesave për intervistim, deri më sot ka thirrur rreth 40 persona, ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhomat e Posaçme dhe Prokuroria Speciale e Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat u themeluan në çdo nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës. Ato u formuan në bazë të amendamentit kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për të zhvilluar gjykimin për akuzat e përmbajtura në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 të cilat përfshijnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Dhomat e Posaçme të Kosovës kanë mandat dhe juridiksion në lidhje me krime të caktuara kundër njerëzimit, krime lufte dhe vepra të tjera penale nën ligjin e Kosovës që thuhet se janë kryer ndërmjet 1 janarit të vitit 1998 dhe 31 dhjetorit të vitit 2000.
Dhomat e Posaçme kanë selinë në Hagë të Holandës dhe kanë gjyqtarë, prokurorë dhe staf tjetër ndërkombëtar.