Sibel Vezaj
05 Janar 2017•Përditësim: 06 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Për ish-kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është vendosur që të mbahet në paraburgim në Francë, vendim të cilin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e cila drejtohet nga Haradinaj shprehet se është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga AAK thuhet se marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, është një vendim politik e jo gjyqësor.
“Për më tepër mbajtja në paraburgim e Haradinajt, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks.Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviçit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij”, thuhet në njoftim nga AAK.
AAK së fundi shpreh bindjen se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim kreun e partisë së tyre, Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdojë punën e tij.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ndalua dje nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit, me një urdhër arrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004, me akuza për krime lufte.