BALLKANI

Qeveria e RMV-së miraton Kodin etik për bartësit e funksioneve publike

Ministri Popovski u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çfarëdo keqbërje të bartësve të funksioneve publike, duke thënë se "qytetarët e zëshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm janë aleati më i madh"

Abdula Berisha  | 21.08.2019 - Përdıtësım : 22.08.2019
Qeveria e RMV-së miraton Kodin etik për bartësit e funksioneve publike ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Ministri pa resor përgjegjës për llogaridhënie dhe transparencë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Robert Popovski, i shoqëruar nga zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha, mbajtën konferencë për media në të cilën njoftuan për vendimet e marra në mbledhjen e 150-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Popovski njoftoi se qeveria ka miratuar tekstin final të kodit etik për anëtarët e Qeverisë dhe për bartësit e funksioneve publike të emëruar nga ana e qeverisë.

Ai tha se pranimi i kodit etik në fakt nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësisë nga bartësit e funksioneve publike që vahzdimisht t'u përmbahen parimeve të menaxhimit të mirë dhe të përgjegjshëm.

"Për zbatimin praktik dhe realizim të pikave të kodit, shumë të dobishme do të jenë mekanizmat dhe masat për sanksione, si dhe ngritja sistematike e vetëdijes për menaxhim të mirë të personave që kryejnë funksione më të larta ekzekutive", tha Popovski.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çfarëdo keqbërje të bartësve të funksioneve publike, duke thënë se "qytetarët e zëshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm janë aleati më i madh".

Zëdhënësi Hoxha foli për pikat tjera të mbledhjes qeveritare, duke përmendur vendimin për rritjen e pagave në arsimin fillor të mesëm dhe të lartë për 5 për qind, duke filluar nga shtatori i këtij viti.

Hoxha gjithashtu tha se është miratuar vendimi për themelimin e shkollës së re fillore “Kiro Gligorov” në Komunën Qendër, e cila gjeneratat e para të nxënësve do t’i pranojë gjatë vitit shkollor 2019/2020.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.