Besar Ademi
26 Mars 2018•Përditësim: 27 Mars 2018
SHKUP (AA) – Ministri pa resor i Qeverisë së Maqedonisë përgjegjës për komunikimet, llogaridhënien dhe transparencën, Robert Popovski, i cili në hapësirat e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) prezantoi strategjinë për transparencë të Qeverisë, tha se nuk mund të arrihet transparencë nëse sistemi i institucioneve nuk funksionon dhe njerëzit që janë brenda nuk japin informacione, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Popovski, kreu i SHGM-së, Naser Selmani, si dhe gazetarja hulumtuese, Sashka Cvetkovska, folën mbi “Sfidat e Qeverisë dhe instuticioneve në rritjen e transparencës para mediumeve dhe qytetarëve”. Ata theksuan rëndësinë e debateve të këtilla si drejtim i vërtetë drejt ndryshimit të sjelljes politike në shoqëri, gjë e cila sipas debatuesve ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë në vend.
Duke përmendur disa çështje të transparencës së Qeverisë, Popovski theksoi se para disa ditëve për herë të parë në historinë politike të Maqedonisë, Qeveria publikoi shpenzimet e kryeministrit, zëvendës-ministrave dhe sekretarëve shtetërorë në periudhën nga 1 qershori deri më 1 dhjetor të vitit të kaluar.
Ky është mjeti më ri për llogaridhënie për shpenzimet e zyrtarëve qeveritar, të cilët do të duhet t’i dorëzojnë informacionet për shpenzimet zyrtare të bëra.
“Administrata në Maqedoni është para reformave të thella, ndërsa ajo është nën përgjegjësinë e MInistrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Numri, këto ditë do të njoftohet me saktësi, por cilësia e administratës është një ndër çështjet kyçe që do të mbetet e hapur dhe ndaj të cilës duhet t’i kushtohet vëmendje e madhe. Këtë e them, sepse nuk mund ta arrijmë transparencën nëse sistemi i institucioneve nuk funksionon dhe njerëzit që janë brenda thjesht ose nuk dinë ose nuk duan të japin informacione”, deklaroi Popovski.
Ministri i angazhuar për çështjen e mediumeve theksoi rëndësinë e seancës së rregullt të zëdhënësit të Qeverisë, e cila mbahet çdo të mërkurë në transmetim të drejtpërdrejtë një ditë pas seancës së rregullt qeveritare, që mbahet të martën.
Ai poashtu theksoi se në krahasim me qeverinë e kaluar shpenzimet e zyrtarëve qeveritar janë reduktuar në më pak se gjysma, edhe pse siç tha ai, axhenda ndërkombëtare e zyrtarëve të tanishëm është rritur tre herë më shumë në krahasim me qeverinë e kaluar.
Ndërkaq Selmani, nga ana e tij, tha se në transparencën e qeverisë ka disa përmirësime, por shtoi se mbetet edhe shumë punë të bëhet që institucionet të jenë plotësisht transparente dhe përgjegjëse në punën e tyre.
“Dua të informoj ministrin, por edhe juve, se nuk ka aspak përmirësim në qëndrimin e funksionarëve të partisë qeveritare BDI ndaj mediumeve kritike në gjuhën shqipe nga debati i fundit që e patëm në qeveri. Ata vazhdojnë t’i injorojnë në sytë e publikut si të pabesueshëm dhe madje edhe i etiketojnë si bashkëpunëtorë të shërbimeve të ndryshme mediumet kritike në gjuhën shqipe”, deklaroi Selmani.
Selmani theksoi se ndonjëherë ndodh që kolegët e tij gazetarë nuk mund të marrin informacionet që u nevojiten në institucionet e ndryshme apo komunat të cilat udhëhiqen nga BDI.
Nga ana tjetër, poashtu edhe gazetarja hulumtuese Sashka Cvetskovska tha se qeveria e re në mënyrë drastike ka ndryshuar qëndrimin ndaj mediumeve, por shtoi se ka ende pritje për përmirësim dhe probleme që kanë mbetur nga e kaluara.