Besar Ademi
26 Nëntor 2015•Përditësim: 26 Nëntor 2015
SHKUP (AA) – Anëtarë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Medialë, si dhe të Institutit Maqedonas të Mediave, të mbledhur para Klubit të deputetëve në shenjë proteste shprehën revoltën kundër mospjesëmarrjes së tyre në bisedimet mes grupeve punuese për çështjen e mediave, raporton Anadolu Agency (AA).
Ata kërkojnë nga partitë politike të cilët diksutojnë për përmirësimin e gjendjes së lirisë së shprehjes, që përfaqësues të mediave, gazetarëve dhe organizatave mediale të përfshihen në bisedime, pasi që sipas tyre, mediat dhe opinioni kanë të drejtë të dinë se çfarë bisedohet për fatin e tyre.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani konsideron se pa praninë e përfaqësuesve të mediave bisedimet e grupeve punuese mbahen në mënyrë jotransparente, pasi sipas tij, në këto bisedime vendoset nëse vendi do të ketë media të lira dhe profesionale ose media të kontrolluara nga partitë politike.
Kreu i SHGM-së Selmani duke parashtruar pyetjen pse kundërshtojnë përfshirjen e përfaqësuesve të mediave dhe gazetarëve në bisedime, si dhe çfarë të keqe ka në propozimet e tyre që nuk duan t’i ndajnë me opinionin, u shpreh se, “Partitë politike kanë obligim para opinionit të sqarojnë se çfarë zgjidhjesh ofrojnë për mediat”.
Sipas tij, mospërfshirja e përfaqësuesve të mediave në bisedime dhe fshehja e propozime nga opinioni tregojnë se grupet punuese punojnë për interesat e tyre të ngushta partiake dhe politike, duke mos u shqetësuar për interesat e qytetarëve.
Organizatat e gazetarëve theksojnë se zgjidhja e mediave duhet të jetë sistematike dhe e qëndrueshme, që për një afat më të gjatë të sigurohen kushte më të mira të punës për gazetarët dhe mediat në vend.