Agim Sulaj
29 tetor 2021•Përditësim: 29 tetor 2021
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 43-të ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
Buxheti i vitit 2022, siç tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është 2 miliardë e 748 milionë euro, 220 milionë euro apo 8,7 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.
Murati tha se buxheti ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike pas COVID-19 si dhe qëndrueshmërinë e financave publike, riorientimin e ekonomisë drejtë prodhimit dhe eksportit si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas tij, me rritjen ekonomike që ka qenë gjatë këtij vit, është ofruar mundësia që të konsolidohet buxheti edhe për Pakon e Ringjalljes për vitin 2022.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti gjithëpërfshirës dhe ambicioz buxhetin e vitit 2022, duke shtuar se “buxhet të tillë Kosova nuk ka pasur asnjëherë”.
Kurti përmendi disa nga sektorët ku është planifikuar të shpenzohet ky buxhet.
Nga ky buxhet, për herë të parë, siç tha ai, janë ndarë mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës, duke nënvizuar se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç edhe e kërkon standardi i NATO-s.
Udhëheqësi i Qeverisë kosovare tha se me këtë buxhet do të nisë edhe ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë.
Po kështu, ai tha se për herë të parë është paraparë mbështetje për Luginën e Preshevës në shumë prej 2 milionë eurove.