Politikë, BALLKANI

Presidentja Osmani takohet me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz

Sa i takon bashkëpunimit dypalësh, presidentja Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbër dhe fushave të tjera

Agim Sulaj  | 23.06.2021 - Përdıtësım : 24.06.2021
Presidentja Osmani takohet me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri është takuar me kancelarin e vendit, Sebastian Kurz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, në takim me kancelarin Kurz, Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Osmani ka theksuar se është në interesin e Kosovës që kjo mbështetje të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Sa i takon bashkëpunimit dypalësh, presidentja Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbër dhe fushave të tjera.

Në këtë takim, Osmani ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina “Pfizer”, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria ka ndihmuar në aspektin procedural.

Presidentja kosovare, e cila po qëndron në vizitë zyrtare për herë të parë në Austri, takimet i ka nisur të martën, kur u takua me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen.

“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar presidentja kosovare në takim me presidentin austriak.

Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

Ajo ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Presidentja Osmani po qëndron në Austri me ftesë të presidentit austriak. Ajo është takuar gjithashtu edhe me zyrtarë të tjerë institucional në Austri, si dhe me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın