Agim Sulaj
18 Nëntor 2022•Përditësim: 18 Nëntor 2022
Në kuadër të samitit të krerëve të shteteve të Frankofonisë, në Djerba të Tunizisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar zëvendëskryeministrin, si dhe ministrin e Shtetit të Katarit Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani i çmoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Katarit për Kosovën, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit.
“Populli i Kosovës i është mirënjohës Katarit për bashkëpunimin dhe pret që të dyja vendet ta thellojnë më tej atë, duke hapur kaptina të reja bashkëpunimi në energji, arsim, shëndetësi, turizëm, bujqësi dhe fusha të tjera”, theksoi Osmani.
Presidentja kosovare përmendi edhe një varg projektesh, të cilat mund të zhvillohen si rrjedhojë e bashkëpunimit, sidomos në fushën e teknologjive moderne dhe inovacionit, duke ditur që Kosova ka popullsi me moshë shumë të re, të gatshme për të zhvilluar projekte në këtë fushë.
Zëvendëskryeministri i Katarit, Al Kawari, e çmoi bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Katarit dhe theksoi se “Katari do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës”.
Al Kawari theksoi se Kosova dhe Katari janë të dyja shtete të vogla, me histori deri diku të ndryshme, por me shumë pika të përbashkëta, prandaj “ato mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra, por edhe të shpijnë përpara ide të përbashkëta, të cilat janë të favorshme për të dyja vendet”.
Presidentja Osmani po merr pjesë në samitin e krerëve të shteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë me ftesë të presidentit të Tunizisë, Kais Saied dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Gjatë qëndrimit në Djerba, Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim në një nga diskutimet e Frankofonisë, ndërsa do të zhvillojë edhe takime tjera me liderë të shteteve anëtare të kësaj organizate.
Në këtë samit shtetet anëtare do të diskutojnë mbi sfidat e përbashkëta politike dhe ekonomike, forcimin e bashkëpunimit frankofon, avancimin e të drejtave të njeriut, arsimit, kulturës dhe demokracisë.