Abdula Berisha
17 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur në takim krerët dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare që përmenden në Kushtetutën e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kumtesën e dërguar nga Zyra e presidentit thuhet se në takim kanë marrë pjesë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan; kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi; kreu i Kishës Katolike, Kiro Stojanov; kryetari i përfaqësisë së Kishës Metodike Ungjillore, Emil Zaev; kryetarja e komunitetit hebraik të Maqedonisë së Veriut, Berta Romano Nikoliç, si dhe Darijan Sotirovski, drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Komunitetet Fetare dhe Grupet Fetare.
"Në takim, presidenti Pendarovski theksoi bashkëjetesën dhe respektin ndaj diversitetit si një nga vlerat themelore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Para krerëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare, presidenti nënvizoi angazhimin e tij për të bashkëpunuar me të gjitha bashkësitë fetare në Maqedoninë e Veriut, në interes të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe tolerancës. Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e rolit të udhëheqësve fetarë në nxitjen e bashkëjetesës si një parakusht i rëndësishëm për prosperitetin dhe përparimin e shtetit", thuhet në kumtesë.
Siç bëjnë të ditur nga Zyra e presidentit, krerët dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare kanë përshëndetur iniciativën për mbajtjen e takimit si dhe kanë potencuar se krahas dallimeve fetare, qëllimi i përbashkët i të gjithëve është ndërtimi i paqes dhe respektit.