BALLKANI

Përfundon stërvitja ushtarake “Albanian Effort 19”

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë theksoi se në shtatë ditë përfaqësuesit ushtarakë nga 12 vende aleate treguan se “cili është burimi i fuqisë së Aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë”

Fatjon Cuka   | 19.09.2019
Përfundon stërvitja ushtarake “Albanian Effort 19”

Tiranë

Ka përfunduar stërvitja ushtarake “Albanian Effort 19” e cila mblodhi së bashku për një javë qindra forca ushtarake nga disa vende, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Albanian Effort 19” mblodhi në fshatin Bizë të Qarkut të Tiranës rreth 800 efektivë nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, SHBAtë, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Polonia dhe Bullgaria.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë theksohet se në shtatë ditë përfaqësuesit ushtarakë nga 12 vende aleate dhe partnere treguan se “cili është burimi i fuqisë së Aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë”.

Sipas njoftimit, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një video mesazh drejtuar efektivëve pjesëmarrës në këtë stërvitje vuri në dukje se kjo është stërvitja e parë ku planifikimi dhe mbështetja logjistike është kryer tërësisht nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Shqipëria u anëtarësua në NATO vetëm 10 vjet më parë. Fakti që vetëm një dekadë më pas, Forcat tona të Armatosura janë shndërruar në një forcë moderne e profesionale, e cila është në gjendje të operojë në standardet e NATO-s, është një dëshmi e asaj që e bën Aleancën unike. Mbështetja dhe solidariteti mes aleatëve është ajo që e bën NATO-n një forcë kaq të fuqishme”, ka theksuar ministrja Xhaçka në mesazhin e saj.

Qëllimi i stërvitjes ishte për të testuar aftësitë ndërhyrëse në kohë krizash dhe për të përmirësuar ndërveprimin mes aleatësh dhe partnerësh në operacionet e përbashkëta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın