Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, theksoi se agresioni ndaj popullit ukrainas duhet të ndalet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së sotme në Ukrainë, ka vizituar qytetin Borodianka në rajonin e Kievit, i cili është i prekur rëndë nga aksionet ushtarake, njoftoi MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të vizitës, Osmani shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat e pafajshme dhe mijëra ukrainasit, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’iu shmangur pasojave shkatërruese të agresionit ushtarak rus.
"Të gjithë ne që mbështesim Ukrainën jemi në anën e duhur të historisë, në anën e duhur të njerëzimit, duke respektuar të drejtën për jetë", tha Osmani.
Vizita në terren, sipas MPJ-së, u zhvillua mes rrënojave, banesave dhe institucioneve të shkatërruara. "Nga aksionet ushtarake të Rusisë u dëmtuan shkolla, spitale dhe infrastruktura tjetër shtetërore, që fatkeqësisht vazhdon të dëmtohet apo madje të shkatërrohet tërësisht", ka theksuar Osmani.
Osmani dënoi sulmin në një ndërtesë banimi në Dnipro, ku dy ditë më parë humbën jetën të paktën 36 persona dhe u plagosën të paktën 75 të tjerë. "Nuk ka asnjë justifikim nëse objektivat civile granatohen vazhdimisht. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, pengimin e transportit të ujit dhe ushqimit, pengimin e punës së konvojëve humanitarë. Asgjë nuk mund të justifikojë kur fëmijët dhe gratë shtatzëna mbeten pa ngrohje, pa ushqim të mjaftueshëm" tha ai.
"Agresioni i paprovokuar është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, kërcënim potencial për rajonin, por edhe një burim frike dhe pasigurie për të gjithë botën", tha Osmani duke theksuar se OBSE do t’i përdorë të gjitha mekanizmat dhe mjetet për të ndihmuar në përpjekjet për t'i dhënë fund vuajtjeve dhe shkatërrimit.
"Shkretimi i qytetit nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës më trondit thellë. Shkatërrimi i infrastrukturës jetike dhe vuajtja e popullit ukrainas duhet të ndalet. Nevojitet veprim urgjent për t'i dhënë fund kësaj çmendurie dhe për t'u ofruar ndihmë atyre në nevojë. Duhet të punojmë për t'i dhënë fund vuajtjeve dhe më pas të rindërtojmë këto zona të shkatërruara", tha Kryesuesi i OSBE-së.
Gjithashtu, Osmani dërgoi mesazh se Maqedonia e Veriut, si vend kryesues i OSBE-së, do të përpiqet të gjejë një mënyrë për ta kthyer Organizatën në Ukrainë. Ai tha gjithashtu se komunikimi me Rusinë do të varet nga ajo se si Rusia do të sillet ndaj parimeve dhe angazhimeve të Organizatës, për të cilat Osmani nuk do të lejojë asnjë kompromis, njoftoi ministria.