Bekim Laci
27 Qershor 2017•Përditësim: 28 Qershor 2017
SHKUP (AA) - Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani kanë realizuar një takim pune me ekspertin e Bashkimit Evropian (BE), Reinhard Pribe, me të cilin kanë bashkëbiseduar për prioritetet nga reformat urgjente, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme, Dimitrov i ka thënë ekspertit ndërkombëtar se “mungesa e institucioneve të pavarura ka lënë pasoja mbi proceset demokratike në vend, për çka prioritet i qeverisë do të jetë profesionalizimi i tyre me qëllim të zbatimit të mirë të ligjeve”.
Zëvendëskryeministri Osmani, nga ana e tij ka thënë se kërkon komunikim të drejtpërdrejtë dhe të hapur në lidhje me të gjitha çështjet që duhet të adresohen, sipas tij si një bazë për kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.
"Unë dhe Sekretariati për Çështje Evropiane jemi në dispozicionin tuaj për gjithçka që ju nevojitet për një vlerësim objektiv dhe të saktë të situatës. Është shumë e rëndësishme të marrim rekomandime të qarta për atë që duhet të bëjmë, dhe çfarë mund të realizohet në afat të shkurtër dhe të mesëm", ka thënë Osmani, i cili bashkë me ministrin Dimitrov, i kanë parashtruar ekspertit Pribe përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët.
Rajnhard Pribe, thuhet më tej në kumtesë, nga ana e tij ka nënvizuar nevojën për mobilizim të institucioneve ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë e ekipit të ekspertëve për të ndihmuar në tejkalimin e mangësive në fushat ku është e nevojshme.