Ivana Ramadanova
26 Qershor 2017•Përditësim: 27 Qershor 2017
SHKUP (АА) – Eurokomisari i Bashkimit Evropian për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim Johannes Hahn, sot zhvilloi takim me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).
Hahn pas takimit me Zaev ishte i pranishëm edhe në seancën tematike kushtuar prioriteteve urgjente reformuese për integrimet euro-atlantike, në të cilën u saktësua dokumenti për reformat urgjente të cilat duhet të zbatohen.
Zaev në konferencën e përbashkët për media me eurokomisarin, theksoi se prania e Hahnit në seancën e Qeverisë së Maqedonisë dërgon sinjal të fuqishëm deri tek të gjithë në vend se perspektiva evropiane e Maqedonisë, nuk është ëndërr e largët por një realitet.
“Ky hap pres që të jetë motivim për të gjithë qytetarët. Pranojeni dorën e shtrirë të Qeverisë dhe së bashku të investojmë të gjithë në procesin serioz reformues për një jetë cilësore për të gjithë qytetarët në shtet. Qëllimi ynë është që Komisioni Evropian të jep vlerësim pozitiv për Maqedoninë në Progres-Raportin në vjeshtë si dhe të propozojë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE-në”, deklaroi Zaev.
Për këtë qëllim, siç tha Zaev po përgatitet një dokument, i quajtur “udhërrëfyes” i cili parasheh reforma në sferat kyçe siç janë sundimi i së drejtës, liria e mediave, Marrëveshja kornizë, raporti i Pribesë, institucione profesionale shtetërore, organe të pavarura rregullatore.
Nga ana tjetër Hahn në konferëncën për media porositi opozitën dhe institucionet relevante se duhet së bashku të punojnë në reformat e shtetit që të jetë një vend i mirë për jetesë për të gjithë qytetarët, duke theksuar se është dëshmitar i optimizmit dhe klimës së re të përshtatshme në vend pas të gjitha ngjarjeve që ndodhën.
“Shumë herë u theksua rëndësia për zbatimin e reformave, megjithatë jo vetëm që të përmbushen pritjet e Bashkimit Evropian, por këto reforma para se gjithash duhet të zbatohen që të përmirësohen kushtet për jetë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, theksoi Hahn.
Eurokomisari Hahn paralajmëroi se duhet të realizojë takime me të gjithë liderët partiakë të partive që përfaqësohen në Parlament, duke shfaqur shpresën se do të gjithë do të luajnë rol pozitiv dhe konstruktiv.