BALLKANI

Osmani: Epokë e re e bashkëpunimit dhe miqësisë me Bullgarinë

Në organizim të MPJ së Maqedonisë së Veriut sot u mbajt mëngjes pune me ambasadorët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e aktiviteteve në Procesin e Berlinit

Husamedin Gina  | 28.10.2020 - Përdıtësım : 29.10.2020
Osmani: Epokë e re e bashkëpunimit dhe miqësisë me Bullgarinë Foto: Husamedin Gina / AA Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani (foto)

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se po hapet një epokë e re e bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Bullgarisë dhe se recidivat e kohës duhet dalngadalë të eliminohen, raporton Anadolu Agency (AA).

Në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, sot u mbajt mëngjes pune me ambasadorët e "ZB6" (gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor) si pjesë e aktiviteteve brenda bashkëkryesuesve të përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë me Procesin e Berlinit.

Në mëngjesin e punës u adresuan ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ambasadori i Republikës së Bullgarisë në vend, Angell Angellov, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Anke Holstein.

Ministri Osmani informoi se para një jave është harmonizuar me tekstin e planit shumëvjeçar aksional për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

“Praktikisht krijojmë një treg të vetëm në rajonin me rreth 18 milionë banorë. Kjo edhe do ta rrisë konkurrencën dhe do ta rrisë atraktivitetin e këtij tregu, por edhe do ta ul distancën me tregun e vetëm evropian, ndërsa qëllimi ynë final është kjo”, theksoi Bujar Osmani.

Ai po ashtu tha se ambicia e këtij procesi është rajoni të jetë më i lirë për lëvizjen e njerëzve, shërbimeve, prodhimeve dhe këtu vë shpresën mbi iniciativën për lëvizje me letërnjoftime në mbarë rajonin.

Osmani duke iu përgjigjur gazetarëve se si e vlerëson deklaratën e eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev se nuk është mëkat nëse pas gjashtë muajve i fillon negociatat me BE-në, tha se nuk duhet të censurojnë atë që thonë politikanët dhe se është e rëndësishme që ata të kishin një kanal të komunikimit zyrtar midis dy vendeve.

"Konsideroj se po hapet një epokë e re e bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Bullgarisë dhe ne duhet të eliminojmë ngadalë recidivat e kohës dhe duhet të zbatojmë atë ide evropiane të bashkëpunimit në marrëdhëniet tona dypalëshe", tha Osmani.

Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holstein tha se kjo është një kohë e veçantë, pasi Procesi i Berlinit për herë të parë bashkë-kryesohet nga një vend anëtar dhe një vend kandidat i Bashkimit Evropian (BE), respektivisht nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Holstein përshëndeti të arriturat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, duke veçuar marrëveshjen e fundit ekonomike të arritur midis Kosovës dhe Serbisë si dhe negociatat në vazhdim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështjet historike midis dy vendeve.

"Rëndësia e Procesit të Berlinit shtrihet shumë përtej axhendave të saj të ndryshme. Ajo nxjerr në pah angazhimin e Gjermanisë në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor 8 në rrugën e tyre drejt BE-së", tha ambasadorja gjermane.

Ambasadori bullgar, Angell Angellov duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se në cilën pjesë të marrëveshjeve me Bullgarinë shikojnë pretendime territoriale nga Maqedonia e Veriut tha se sot janë mbledhur për Procesin e Berlinit dhe se kjo është shumë e rëndësishme për ndërtimin e besimit mes dy shteteve.

Nga ana tjetër në pyetjen, sot në Bruksel bisedohet për kornizën e negociatave dhe nëse Bullgaria do të ndryshonte pozicionet e saj, ambasadori Angellov theksoi:

“Bullgaria nuk mund ta ndryshojë pozitën sepse ka deklaratë të parlamentit dhe vendim të qeverisë. Ajo që flitet në BE brenda, ky është problem i BE-së. Ky është problem i Brukselit, nuk është problem i ynë”, shtoi Angellov.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.