Bojana Stojanovic
28 tetor 2020•Përditësim: 28 tetor 2020
Mandatarja për formimin e qeverisë së re në Serbi, Ana Brnabiç, sot gjatë prezantimit para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, deklaroi se shteti duhet të tregojë se është më i fuqishëm se krimi i organizuar dhe se shteti do të ofrojë mbrojtje të plotë për të gjithë në këtë luftë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Krimit të organizuar duhet dhënë goditjen vendimtare duke i prerë burimet e saj të financimit dhe shkatërrimit të rrjetit të tyre të ndikimit në organet shtetërore, politikë dhe media", tha Brnabiç në seancën e veçantë të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite është votimi i qeverisë së re.
Brnabiç tha se qeveria që ajo po propozon do të jetë pro-evropiane me detyrën për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Sipas saj, prioritet i qeverisë së ardhshme të Serbisë do të jetë forcimi i një shoqërie demokratike dhe përfshirëse.
Ajo vuri në dukje se ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë në pjesën e gjyqësorit është një hap i domosdoshëm në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe harmonizimin e mëtejshëm me rrjedhën dhe standardet evropiane.
Sipas Ligjit të miratuar mbi ministritë, qeveria e ardhshme e Serbisë do të ketë 21 ministri, tre të reja: Ministria e Kujdesit Rural, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve dhe Dialogut Social dhe Ministria e Familjes dhe Demografisë.