BALLKANI

Mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë

Në konferencën e përbashkët për mediat pas mbledhjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve, marrëveshjet e nënshkruara dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 26.11.2021 - Përdıtësım : 27.11.2021
Mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë   Foto: Olsi Shehu / AA

Elbasan

Në Elbasan është mbajtur mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, e cila është mbledhja e 7-të e përbashkët qeveritare mes dy vendeve, ndërkohë janë nënshkruar edhe disa marrëveshje bashkëpunimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për mediat pas mbledhjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve, marrëveshjet e nënshkruara dhe çështje të tjera.

Rama tha se mes dy vendeve janë firmosur një sërë marrëveshjes shumë konkrete, ku ai nënvizoi edhe marrëveshjen për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

"Po ashtu, dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor, një kërkesë legjitime e kahershme e kohës, e eksportuesve dhe importuesve në të dyja anët e kufirit, të cilët do të jenë përfituesit e drejtpërdrejtë, por dhe ekonomitë e vendeve tona do të kenë përfitimin e tyre. Dua të nënvizoj edhe atë që është një objektiv i përbashkët jo vetëm i dy qeverive por edhe personalisht i Albinit dhe i imi, për të shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta duke u bazuar në disa modele pozitive", tha Rama.

Ai tha se është vendosur krijimi me vendim të dy qeverive i sekretariatit për koordinimin e të dy qeverive në funksion të të gjitha marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve mes dy vendeve.

Në lidhje me nismën "Ballkani i Hapur", Rama tha se "kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme por nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku gjërat e duhura në funksion të të ardhmes së dy vendeve tona".

Kryeministri Kurti tha se nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara sot, dhe me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive, do ta rrisin edhe më tej bashkëpunimin "për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në gjithë rajonin".

"Bashkëpunimi mes dy qeverive tona do forcojë shtetet tona dhe do jetësojë ëndrrat e qytetarëve për të jetuar krenarë në vendin e tyre. Përtej kësaj, kjo mbledhje e dy qeverive tona dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Sa më të integruar të jemi, aq më mirë do jetë për qytetarët dhe aq më bindur dhe të inkurajuar do jenë ata për të ndërtuar jetët e tyre e të familjeve të tyre në vendin e tyre", tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha më tej se lidhshmëria historike, kulturore, gjuhësore mes dy vendeve janë nyjet e forta premtuese për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

"Edhe mbledhja e sotme e dëshmoi që është e mundur që Kosova e Shqipëria të diskutojnë, të planifikojnë, të dakordohen dhe pa menduar e pa përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës", tha Kurti, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve për nismën "Ballkani i Hapur".

Mes dy vendeve u nënshkruan 13 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi si protokolli bashkëpunimit për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, memorandumi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin dhe rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë, marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore, marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeve të qëndrimit të përkohshme, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) - Krushevë (Dragash) dhe marrëveshje të tjera.

Ndërkohë, u mbajt edhe Forumi i Biznesit Shqipëri - Kosovë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve të bizneseve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.