Ihvan Radoykov
26 Nëntor 2021•Përditësim: 27 Nëntor 2021
Është përditësuar në 45 numri i personave që humbën jetën pasi një autobus me targa të Shkupit u aksidentua më 23 nëntor pranë fshatit Bosnek në afërsi të qytetit Pernik në Bullgari, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeprokurori Publik dhe drejtor i Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë, Borislav Sarafov, në një deklaratë për shtyp bëri të ditur se hetimet vazhdojnë dhe tha se "në mbetjet e autobusit kanë gjetur edhe trupin e një fëmije".
Më tej, Sarafov informoi se sipas të dhënave të fundit, autobusi me 23 nëntor ka ardhur nga pika kufitare Kapıkule në orën 21:15 me kohën lokale dhe ka hyrë pikën kufitare të Bullgarisë, Kapitan Andreevo. Sarafov shtoi se në mjet ndodheshin 52 udhëtarë të regjistruar, prej të cilëve 45 kanë humbur jetën ndërsa shtatë kanë shpëtuar.
Ndërkohë, zyrtarët bullgar të hetimit që kanë vajtur në Maqedoninë e Veriut mësohet se do të qëndrojnë në vend deri më 28 nëntor dhe do të marrin mostrat e ADN-së tek të afërmit e personave që kanë humbur jetën.
Pas kthimit të ekspertëve në Bullgari do të kryhet identifikimi i trupave dhe kufomat do të dërgohen në kohën më të shkurtër në Maqedoninë e Veriut.
Në deklaratën e parë lidhur me aksidentin nga autoritetet bullgare ishte njoftuar se 46 persona kishin humbur jetën duke u djegur pasi autobusi me targa të Maqedonisë së Veriut u përfshi nga flakët më 23 nëntor në autostradën "Struma". Ndërkaq, dje kjo shifër u përditësua në 44.