BALLKANI, Koronavirusi

Maqedoni e Veriut, konfirmohet viktima e 3-të nga koronavirusi

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se disa orë më parë, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup ka humbur jetën një paciente nga Dibra, e cila kishte qenë në aparat të frymëmarrjes për një kohë më të gjatë

Shpetim Hiseni   | 25.03.2020
Maqedoni e Veriut, konfirmohet viktima e 3-të nga koronavirusi

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Verut, Venko Filipçe, konfirmoi vdekjen e tretë nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media, Filipçe tha se disa orë më parë, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup ka humbur jetën një paciente nga Dibra, e cila kishte qenë në aparat të frymëmarrjes për një kohë më të gjatë.

"Përkundër të gjitha përpjekjeve të mjekëve, infermierëve dhe kujdesit intensiv, ajo për fat të keq vdiq sot, disa orë më parë. Ishte 66 vjeçe dhe në histori kishte të dhëna se ka marrë terapi të hipertensionit kronik”, tha ministri Filipçe.

Ai gjithashtu deklaroi se në 24 orët e kaluara, deri në orën 12:00 të ditës së sotme, ka pasur gjithsej 29 raste të reja të infeksioneve, edhe atë 20 në Shkup, 3 në Kumanovë, 3 në Veles, 2 në Prilep dhe 1 në Dibër.

Me rastet e reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 177. Sipas vendbanimeve, pacientët janë nga Shkupi, Dibra, Kumanova, Shtipi, Kavadari, Ohri, Gostivari, Prilepi dhe Velesi.

Ministri tha gjithashtu se 5 pjesëtarë të stafit mjekësor në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës kanë rezultuar pozitiv në COVID-19.

"Nga 29 raste të reja, 5 janë nga Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës, të cilët pas 16 ditëve të kaluara në izolim pa ndonjë simptomë, në mostrat e marra, kanë rezultate pozitive. Ata janë kolegë dhe janë në gjendje të mirë”, tha Filipçe.

Ai tha gjithashtu se është mirë që një pjesë e të diagnostikuarve zbulohen në fazë të hershme dhe se sistemi shëndetësor mund ta amortizojë numrin e pacientëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın