Lumi Vjosa në Shqipëri, "perla e egër" e Evropës
Lumi Vjosa, që tashmë është edhe një park kombëtar, është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj të egër me rrjedhje të lirë në Evropë, ku natyra përgjatë luginës së lumit të frymëzon dhe të tërheq me çdo element

Përmet/Tepelenë
Lumi Vjosa në Shqipëri është shndërruar në vitet e fundit në një destinacion të preferuar për turizmin e aventurës dhe të pasionuarit pas natyrës.
E njohur edhe si "perla e egër" e Evropës apo "Zemra blu e Evropës", Vjosa përfaqëson një ekosistem natyror unik në kontinent dhe vlerësohet si një trashëgimi natyrore evropiane.
Lumi Vjosa, që tashmë është edhe një park kombëtar, është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj të egër me rrjedhje të lirë në Evropë, ku natyra përgjatë luginës së lumit të frymëzon dhe të tërheq me çdo element.
Me gryka të ngushta, lugina të gjera, ujërat e saj blu në jeshile, me fshatra mes peizazheve malore dhe fushore, kanione, habitatet e larmishme të jetës së egër, peshkimin, Vjosa konsiderohet një park kombëtar unik jo vetëm për Shqipërinë, po edhe më gjerë.
Shpallja park kombëtar në Shqipëri
Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm si një lumë natyror nga vargmali i Pindit në Greqi(ku quhet Aoös), deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi ka një rrjedhje afërsisht 272 kilometra nga veriu i Greqisë drejt Detit Adriatik, ku në Shqipëri që quhet Vjosa përshkon rreth 192 kilometra gjatësi, në zona malore dhe fushore.
Sipas vlerësimeve të studiuesve dhe institucioneve shqiptare që kanë në fokus mjedisin, zonat përreth këtij lumi janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1.100 llojeve të specieve, duke përfshirë edhe lloje kafshësh të vlerësuara si të kërcënuara për zhdukje.
Në mars të vitit 2023 Lumi Vjosa në Shqipëri është shpallur nga Qeveria e Shqipërisë park kombëtar, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Evropë, sipas autoriteteve shqiptare.
Vendimi në fjalë që është kategoria më e lartë e mbrojtjes dhe që përfshin një sipërfaqe mbrojtjeje në 12.727 hektarë, mbron Vjosën që të ruhet si një lum natyror i egër dhe me rrjedhje të lirë.
Pas aplikimit nga autoritetet shqiptare, UNESCO ka dhënë rekomandim zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës si "Rezervat i Biosferës".
Shndërrimi në një atraksion turistik
Përveçse një ekosistem natyror i egër dhe i pasur, Vjosa ofron gjithashtu një potencial të madh për zhvillimin e disa llojeve të turizmit.
Peizazhet mahnitëse që rrethojnë luginën e Lumit Vjosa ofrojnë një mundësi unike për udhëtime dhe ture turistike mbresëlënëse, duke u kthyer edhe në burim pushimi.
Vitet e fundit të pasionuarit pas turizmit të aventurës kanë organizuar dhe vazhdojnë të shijojnë në Vjosë aktivitete në rafting, kanoe, kajak, not, ecje, kamping, peshkim dhe të tjera.
Parku u ofron vizitorëve kanione të bukura dhe rrugë gjarpëruese, sidomos për të pasionuarit pas turizmit të aventurës, ndërkohë raftingu në Vjosë të çon në një udhëtim të mbushur plot adrenalinë dhe njohje me habitatet dhe bukuritë natyrore të lumit.
Të shumtë janë turistët vendas e të huaj që gjatë muajve të verës preferojnë të eksplorojnë luginën me pyjet dhe bimësinë e pasur dhe lumin me ture raftingu dhe kampingu.
Vjosa tashmë mund të konsiderohet si një thesar evropian dhe që pret të eksplorohet akoma më shumë nga turistët nga e gjithë bota dhe një potencial i madh për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.