Agim Sulaj
16 Qershor 2020•Përditësim: 16 Qershor 2020
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka arritur në Kosovë ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të larta të Kosovës me të cilët pritet të diskutojë kushtet dhe modalitetet për vazhdimin e shpejtë të dialogut të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur KFOR-i në një njoftim për media, Lajçak në aeroportin Ushtarak të Prishtinës është pritur nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Michele Risi.
Në njoftim theksohet se “NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”.
Lajçak do të qëndrojë në Kosovë deri më 18 qershor, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e postit të tij të ri.
Në Kosovë, ambasadori Lajçak do të takohet me liderët politikë, përfaqësuesit e partive politike dhe bashkësitë ndërkombëtare në vend, si dhe me krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së.
Siç njoftoi Zyra e BE-së në Kosovë, Lajçak gjithashtu “do të shfrytëzojë mundësinë për t'u njohur më mirë me situatën në terren”.
Gjatë ditës së parë të vizitës në Kosovë, Lajçak do të takojë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.