Agim Sulaj
17 Dhjetor 2021•Përditësim: 18 Dhjetor 2021
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash në seancë plenare kanë miratuar Buxhetin e Kosovës për vitin 2022 prej 2 miliardë e 748 milionë eurove, raporton Anadolu Agency (AA).
Me 65 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan në shqyrtim të dytë projektligjin.
Në seancën e cila zgjati për rreth tetë orë, u propozuan mbi 80 amendamente, shumica prej të cilave nga deputetë të opozitës, por nuk u miratuan, gjë e cila shkaktoi përplasje dhe debate të gjata midis deputetëve të opozitës dhe pushtetit.
Në fillim të kësaj seance, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje deputetëve ta votojnë buxhetin për vitin e ardhshëm dhe të mos shtyhet për ditë tjera.
Gjatë muajit të kaluar, kur u miratua në lexim të parë projektligji i buxhetit, Kurti e quajti buxhetin 2022 si buxhet i cili i ka prioritet "sigurinë, shëndetësinë e arsimin”.
Në mënyrë specifike u bë e ditur nga kryeministri Kurti se buxheti për vitin 2022 do të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 364 milionë euro.