Agim Sulaj
24 Mars 2022•Përditësim: 25 Mars 2022
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe tek busti i ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, një ditë pas vdekjes së saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve dhe vendosjes së luleve në bustin e Albright në qendër të Prishtinës, tha se politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinoheshin në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i Madeleine Albright.
Kurti tha se dija e thellë e Albright, mendja e saj e mprehtë, dashuria e paepur për liri e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokraci sociale e gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në SHBA dhe Kosovë, por edhe në shumë vende tjera të botës.
“Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, pa dyshim që mban vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës", theksoi Kurti.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se Albright ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Ai tha se Albright bashkë me SHBA-në i dolën në ndihmë Kosovës në ditët e saj më të vështira.
“Ajo së bashku me presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtarë për ta ndalë gjenocidin e shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Në ditën e djeshme presidenti Clinton në një adresim që ia bëri popullit amerikan më së miri e përshkroi zonjën Albright. Tha se për popullin amerikan ajo ishte një thesar kombëtar", theksoi Konjufca.
Ish-sekretarja e shtetit të SHBA-së, Albright e cila ndërroi jetë dje në moshën 84-vjeçare, ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta fundit. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ka shërbyer si kryediplomate e SHBA-së nga vitit 1997 deri në vitin 2001 nën udhëheqjen e ish-presidentit Bill Clinton.