BALLKANI

Kurti: Buxheti i vitit 2024, buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë

"Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë", tha kryeministri Albin Kurti

Agim Sulaj  | 16.11.2023 - Përdıtësım : 17.11.2023
Kurti: Buxheti i vitit 2024, buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kritikuar projekt-buxhetin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024, raporton Anadolu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e prezantoi buxhetin para deputetëve, tha se buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet në programin qeverisës sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, me më shumë vende të punës; për shëndetësi gjithëpërfshirëse me shërbime më të mira; arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë; e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.

"Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë rreth 370 milionë euro ose 22 për qind më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë", theksoi Kurti.

Duke i ftuar deputetët që ta votojnë këtë projektbuxhet, Kurti tha se me të forcohet mbrojtja e Republikës, rritet siguria e qytetarëve dhe mundësohet zhvillimi i vendit e mirëqenia e popullit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për planifikimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2024, duke thënë se ka mospërputhje midis premtimeve të Qeverisë dhe këtij planifikimi buxhetor.

Nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Mërgim Lushtaku, duke folur në emër të grupit parlamentar, ka thënë se projekt-buxheti për vitin 2024 nuk i arrin pritshmëritë e qytetarëve dhe as bizneseve. Ai tha se planifikimi i mirëfilltë i buxhetit do të kontribuonte në përmbushjen e nevojave sociale dhe shtetërore, por se një gjë e tillë nuk është bërë.

"Mbi 1 miliard euro janë planifikuar të shpërndahen si ndihma në shërbime sociale, pra, mbi 32 për qind, ndërsa Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka vetëm 25 milionë euro, domethënë as 1 për qind. Kjo tregon sa do të ketë rritje të kërkesës. Andaj, çmimet mund të shkojnë edhe më lartë sepse nuk ka investime në rritje në aktivitetet prodhuese, nuk subvencionohet ndërmarrësia, por, qytetarëve u jepet lëmoshë me qëllim për të blerë heshtje momentale", theksoi Lushtaku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se ky buxhet duhet të analizohet në kontekstin e zotimeve të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se po t’i pyesësh qytetarët e Kosovës, cili është projekti më i madh ekonomik i Qeverisë aktuale, ata nuk do të kenë përgjigje.

"Zotimet kanë qenë këto: që të ndërtohen 160 çerdhe, realizimi është me pesë çerdhe të ndërtuara deri më tash dhe janë disa që janë planifikuar në buxhet, por në vitin 2025, jo në vitin 2024, përtej mandatit të kësaj Qeverie. Zotimet tjera nuk kanë filluar fare, ta zëmë, banimi social ka qenë banim me kushte të përballueshme për qytetarët ndërsa realizimi tij nuk ka nisur fare. Tek sigurimet shëndetësore është planifikuar që ato të nisin sa më parë nga Qeveria, ndërsa nuk do të realizohet as në vitin 2024", theksoi Hoti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nuk ka rritje të buxhetit por zvogëlim, ndërsa ka shtuar se janë nënçmuar disa kategori si policia, shëndetësia, drejtësia e të tjerë. Haradinaj tha investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë nuk mund të shohin ndonjë zhvillim ekonomik.

Debati parlamentar rreth projekt-buxhetit për vitin 2024 po vazhdon ende në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për miratimin duhen shumica e thjeshtë parlamentare apo 61 vota.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın