Fatjon Cuka
06 Shkurt 2020•Përditësim: 06 Shkurt 2020
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA), duke realizuar takime me zyrtarë të lartë amerikanë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Rama ka realizuar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me kryediplomatin amerikan, Mike Pompeo, ku në fokus të diskutimeve të tyre ishin disa çështje.
Në lidhje me këtë takim, Rama në rrjetet sociale shkruan: "Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për rindërtimin, paketën AntiKÇK(Akti normativ për masat në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar), Shengenin rajonal dhe dialogun Kosovë - Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në lidhje me takimin Rama- Pompeo, ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, e cila në rrjetet sociale shkruan: "Sekretari nënvizoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përpjekjet e vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sekretari gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për të ndarë barrën e detyrimeve në NATO, për luftën ndaj aktivitetit keqdashës të Iranit dhe për marrjen përsipër të një roli udhëheqës rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimeve të së ardhmes”.
Rama gjatë vizitës në Washington ishte pjesë edhe e një bashkëbisedimi organizuar nën kujdesin e Këshillit të Atlantikut, një organizatë think tank, ndërsa në fjalën e tij u fokusua në procesin e integrimit evropian, normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, "Shengenin rajonal”, dhe çështje të tjera.
"Në këtë moment jo vetëm kemi shumë për të shkëmbyer sa u takon marrëdhënieve tona dypalëshe, por edhe sa u takon sfidave të përbashkëta, njëra prej të cilave është Irani. Kemi një problem me këtë vend, me regjimin e tij. Nuk është vetëm kjo, është dhe rajoni. Ne e dimë mjaft mirë që Ballkani Perëndimor sot është një vend më i mirë, pikë së pari falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj", është shprehur Rama.
“Ne jemi në fakt vendi i vetëm në Evropë që kemi 95 për qind dëshirë të njerëzve për të qenë pjesë e BE-së. Ne po vazhdojmë të bëjmë punën tonë në të njëjtën mirë siç do të bënim në qoftë se do të ishin hapur bisedimet për anëtarësim“, theksoi më tej Rama gjatë bashkëbisedimit.
Në lidhje me thellimin e bashkëpunimit rajonal për përshpejtimin e "Katër lirive të BE-së", Rama theksoi se "Është një shengen rajonal për të theksuar projektin e zbatimit të katër lirive të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Nuk është një alternativë karshi Bashkimit Evropian, në të njëjtën kohë kjo është një përgatitje për të qenë anëtar të mirë të BE-së.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, sipas Ramës, duhet të vazhdojë dhe ai në lidhje me këtë proces shtoi se "gjatë gjithë kohës kam thënë se Serbia duhet ta njohë sa më shpejt të jetë e mundur Kosovën. Për Serbinë është një makth nga i cili duhet të çlirohet. Kosova është një realitet që nuk mund të ndryshojë."
Kryeministri i Shqipërisë gjatë qëndrimit në SHBA ka realizuar takime me zyrtarë të ndryshëm amerikanë.