Fatjon Cuka
03 tetor 2025•Përditësim: 04 tetor 2025
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
Takimi është realizuar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërkohë pjesë ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.
"Kënaqësi të mikpres presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics", ka shkruar Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Pjesë e takimit ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se vizita hap horizonte të reja bashkëpunimi.
“Mikpritëm sot në Tiranë në një takim të ngrohtë presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics. Një moment miqësie mes dy vendeve tona, i cili hap horizonte të reja bashkëpunimi në fushën e sigurisë si partnerë në NATO dhe një dorë e rëndësishme mbështetjeje në rrugëtimin evropian të Shqipërisë”, ka shkruar Spiropali.
Rinkevics po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, duke u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Në ditën e parë të vizitës u takua me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi.