Ekip
20 Janar 2021•Përditësim: 21 Janar 2021
Krerët e shteteve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë shprehur urime me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti amerikan Biden mesazh "uniteti" në fjalimin e parë pas betimit
“Urime për presidentin e ri amerikan”, shkroi në Twitter presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“SHBA-ja është partneri ynë strategjik që gjithmonë e ka mbështetur demokracinë në vend dhe integrimet tona euroatlantike”, shtoi Pendarovski.
“Shqipëria do të vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA-në”
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale ka shkruar se Shqipëria do vijojë të mbështetet në partneritetin strategjik me SHBA-në, sipas tij, si "garanci jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe në çështje të rëndësishme globale".
"Urimet më të sinqerta, të miat dhe të popullit shqiptar, për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe Zëvendëspresidenten, Kamala Harris. Jemi të bindur se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tej, ndërsa së bashku forcojmë bashkëpunimin transatlantik dhe në NATO", ka shkruar Meta.
Osmani: Në krye të SHBA-së, prej sot është miku i Kosovës
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mbarësi presidentit të sapoemëruar të SHBA-së.
Osmani shkroi në rrjetet sociale se tani në krye të SHBA-së është miku i Kosovës, presidenti Biden, ndërsa amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur.
“Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden. Në cilësinë e ushtrues së detyrës së presidentes, i uroj mbarësi në postin e presidentit të SHBA-së, me besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se demokracia e këtij shteti do të vazhdojë të jetë referencë për gjithë globin”, shkroi Osmani.
Ajo tutje theksoi se Amerika është sinonimi i demokracisë dhe promovimit të vlerave, ndërsa raportet midis Kosovës dhe SHBA-së “janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale”.
Ndryshe, Biden, fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit të vitit të kaluar, sot zyrtarisht u bë presidenti i 46-të i SHBA-së nëpërmjet ceremonisë së inaugurimit që u zhvillua në Washington.