Kosovë, reshjet e dendura shtyjnë fillimin e procesit mësimor më 12 janar
Situata me vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka vazhduar edhe në orët e vona të natës në disa prej komunave në Kosovë
Prishtinë
Fillimi i procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë është shtyrë më 12 janar në të gjitha komunat e vendit për shkak të reshjeve dhe kushteve të vështirësuara në disa zona, raporton Anadolu.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ka njoftuar se nga informacionet nga terreni është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për të enjten është i pamundur.
MASHTI njoftoi tutje se këto dy ditë do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026.
"Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik MASHTI ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar", thuhet në vendimin e MASHTI-t.
Situata me vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka vazhduar edhe në orët e vona të natës në disa prej komunave në Kosovë.
- Situata e përkeqësuar në Skenderaj dhe Drenas
Situata është përkeqësuar sidomos në Komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit, derisa vazhdon të jetë e rënduar në Malishevë dhe Junik.
"Situata nga vërshimet në Komunën e Skenderajt është përkeqësuar ndjeshëm. Si pasojë e reshjeve të pandërprera në orët e fundit, janë vërshuar shumë ekonomi familjare, biznese, rrugë e prona publike, oborre dhe toka bujqësore të qytetarëve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe rrezik real për sigurinë e qytetarëve", tha kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lushtaku theksoi se ekipet komunale, shërbimet emergjente përfshirë zjarrfikësit dhe policinë, mekanizmi i rëndë dhe qytetarë vullnetarë janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të menaxhuar situatën, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të parandaluar përkeqësime të mëtejme.
Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se niveli i ujit në orët e vona në Drenas ishte i lartë.
Ai njoftoi qytetarët se në disa prej rrugëve nuk mund të shfrytëzohen për qarkullim me automjete dhe duhet të shfrytëzohen alternativa tjera.
"Qytetarë të komunës së Drenasit, mos lëvizni pa nevojë të madhe dhe mos i dëmtoni shiritat paralajmërues për ndalimin e kalimit te urat apo te rrugët me nivel të lartë të ujit", tha ndër tjerash Lladrovci.
- Presidentja Osmani thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar
Gjatë ditës së djeshme, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi se reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar vërshime veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin, Klinën si dhe në disa zona të pjesës qendrore si Skenderajn dhe Drenasin.
Sipas IHMK-së, vërshimet u shkaktuan si rezultat i intensitetit të reshjeve ku disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke krijuar rrezik për infrastrukturën dhe lëvizjen e qytetarëve.
Lidhur me situatën e krijuar, Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve zyrtare.
Osmani ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët për reagimin dhe solidaritetin e treguar, duke theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur në koordinim me organet e rendit, derisa ka falënderuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, përmes kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
