BALLKANI

Kosovë, Ministria e Mbrojtjes lanson Planin e Integritetit 2019-2022

Plani i Integritetit 2019-2022 u prezantua në hapësirat e ministrisë, ku u theksua se FSK ka qenë institucioni më i besueshëm në vend dhe se 90 për qind e aktiviteteve të planifikuara nga kjo forcë janë realizuar

Agim Sulaj  | 17.07.2019 - Përdıtësım : 18.07.2019
Kosovë, Ministria e Mbrojtjes lanson Planin e Integritetit 2019-2022 ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka lansuar Planin e Integritetit 2019-2022, qëllimi kyç i të cilit është forcimi i integritetit dhe kulturës kundër korrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Plani i Integritetit 2019-2022 u prezantua në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes, ku u theksua se FSK ka qenë institucioni më i besueshëm në vend dhe se 90 për qind e aktiviteteve të planifikuara nga kjo forcë janë realizuar.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se ky plan është derivat i politikave të institucionit që drejton ai dhe se është në përputhje të plotë me kriteret e NATO-s.

“Plani është në përputhje të plotë me kriteret e NATO-s të cilat janë të listuara në kuadër të programit ‘Ndërtimi i Integritetit’. Plani si i tillë i përgjigjet ndërveprimit të avancuar midis Kosovës dhe NATO-s, i cili liston ngritjen e integritetit si një ndër komponentat e këtij ndërveprimi. Krahas NATO-s, ky plan dëshmon gatishmërinë tonë që ta rrisim partneritetin bilateral në funksion të interesit publik”, tha Berisha.

Ambasador norvegjez në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, i cili po ashtu ishte i pranishëm në prezantimin e planit, tha se ky plan është një strategji për të parandaluar korrupsionin në Kosovë.

Sjaastad tha se ndërtimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë pa rreziqe, por nuk duhet të ketë tërheqje nga luftimi kundër saj vetëm për shkak të rreziqeve.

“Çdo vend, përfshirë Kosovën, për të shënuar progres dhe lëvizur përpara duhet që sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit ta bëjë prioritet numër një. Vitet e fundit Kosova ka shënuar progres të mrekullueshëm në luftën kundër korrupsionit. Por, një gjë të tillë duhet ta vazhdojë edhe më tej pa u kthyer prapa”, tha Sjaastad.

Objektivat kryesore të Planit të Integritetit 2019-2022 janë avancimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, parandalimi i konfliktit të interesit, avancimi i sistemit të prokurimit dhe kontraktimit, përmirësimi i sistemit të menaxhimit të burimeve materiale, financiare dhe aseteve, si dhe fuqizimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm.

Zhvillimi i Planit të Integritetit është mbështetur nga Mbretëria e Norvegjisë si asistencë dhënë Republikës së Kosovës, e cila u bë në kuadër të projektit “Ndërtimi i Integritetit në Ballkanin Perëndimor”. Mbështetje është dhënë edhe nga Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes (CIDS), e cila ka mbledhur ekspertë norvegjezë, rajonalë e vendorë në hartimin e këtij plani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın