Kosovë, mbahet paneli “E djeshmja dhe e sotmja në Kosovë: Histori, shoqëri dhe besim”
Si pjesë e kësaj ngjarje, u lansua edhe libri me të njëjtin titull të panelit, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke, për të cilin u tha se është produkt i punës në terren
Prishtinë
Është mbajtur në Prishtinë paneli me titull "E djeshmja dhe e sotmja në Kosovë: Histori, shoqëri dhe besim", raporton Anadolu.
I organizuar nga Fakulteti i Shkencave Islame (FSI) në Prishtinë, në panel morën pjesë Kryetari i Presidencës për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet e Lidhura (YTB), Abdulhadi Turus, Presidenti i Fondacionit të Parlamentarëve të Botës Turke (TDPV), Abdullah Caliskan, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, dhe shumë të ftuar të tjerë.
Si pjesë e kësaj ngjarje, u lansua edhe libri me të njëjtin titull të panelit, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke, për të cilin u tha se është produkt i punës në terren të kryer nga TDPV-ja me mbështetjen e YTB-së dhe kontributet nga palë të ndryshme të interesuara, përfshirë Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën e tij, Presidenti i YTB-së, Turus, shprehu nderin e tij të madh që ndodhet në Kosovë e cila tha se është “një nga pjesët më të çmuara të gjeografisë me lidhje shpirtërore”.
Turus tha se Kosova me të kaluarën e saj të pasur historike dhe vendndodhjen strategjike, përbën një pjesë të dalluar të Ballkanit.
“Çdo komunitet që jeton këtu është trashëgimtar i një të kaluare të përbashkët dhe një kulture të përbashkët. Kosova është një tokë ku jehona e kulturës sonë ende dëgjohet, një tokë që mbart zërin e historisë sonë deri në ditët e sotme”, tha ai.
Turus theksoi se YTB-ja i ka kushtuar rëndësi të veçantë Ballkanit, dhe në veçanti Kosovës, që nga viti 2010.
“Sepse për ne, Ballkani nuk është vetëm një skenë historike; ai është një vend përkatësie, një pellg kulturor. Gjatë 15 viteve të fundit, Presidenca jonë ka zbatuar 70 projekte dhe aktivitete në Kosovë. Këto përpjekje mbulojnë një spektër të gjerë, nga shkenca dhe artet, arsimi dhe botimet, lëvizshmëria kulturore dhe solidariteti shoqëror. Puna jonë në Kosovë ka fituar thellësi gjatë viteve me projekte që prekin një gamë të gjerë fushash. Secili prej këtyre projekteve ka ndërtuar ura, në një aspekt që shtrihet në njohuri, në një tjetër në art dhe në një tjetër në njerëzim”, theksoi Turus.
Ai gjithashtu u ndal te "Bursat e Turqisë" në fjalimin e tij, duke vënë në dukje se 2.382 studentë kosovarë janë mbështetur përmes këtyre bursave që nga viti 1992, dhe se gati 300 studentë aktualisht po vazhdojnë arsimimin e tyre në Turqi.
Turus shtoi se libri "E djeshmja dhe e sotmja në Kosovë: Histori, shoqëri dhe besim", i lansuar sot si pjesë e eventit, shqyrton sfondin historik të Kosovës, strukturën shoqërore, organizatat fetare, proceset e identitetit kombëtar dhe ekuilibrat etnofetarë nga perspektiva lokale dhe globale.
Presidenti i TDPV-së, Caliskan, theksoi gjithashtu se libri në fjalë u përgatit me mbështetjen e YTB-së dhe punën e kujdesshme të akademikëve të shquar.
"Çdo rresht pasqyron një përpjekje të thellë për të kuptuar trashëgiminë historike, strukturën shoqërore, botën e besimit dhe identitetin kulturor të Kosovës”, tha Caliskan.
Ambasadori Angili, në fjalën e tij, theksoi se Kosova mban një vend të veçantë në zemrat e kombit turk dhe theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës me të gjitha institucionet e saj.
Pas fjalimeve, u mbajt një diskutim në panel me folësit Prof. Dr. Murat Onsoy, Dr. Abdulkadir Durguti, Raif Virmica dhe Islam Hasani, duke trajtuar temat e mëposhtme: “Kosova dhe realitetet e jashtme: Aftësia e shtetit për t’u integruar në sistemin ndërkombëtar”; “Reflektimi i organizatave selefi mbi jetën fetare dhe strukturën shoqërore në Kosovë”; “Roli dhe efektiviteti i Urdhrit Melami në identitetin dhe formimin e shoqërisë kosovare në kontekstin e lëvizjeve sufi në shekujt XVIII dhe XIX”; dhe “Situata aktuale e arsimit fetar në Kosovë”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
