Kosovë, krerët e shtetit urojnë Pashkët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mesazhin e saj ka thënë se Pashkët ngërthejnë në vete tolerancën, respektin, zemërgjerësinë dhe dashurinë
Prishtinë
Krerë të institucioneve të larta të Kosovës kanë uruar besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mesazhin e saj ka thënë se Pashkët ngërthejnë në vete tolerancën, respektin, zemërgjerësinë dhe dashurinë.
“Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, ndaj në secilën familje mbretëroftë gëzimi! Uroj t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, ta mbajmë edhe më afër e ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin, për të mirën e përbashkët”, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se besimtarët katolikë e protestantë përgatiten të kremtojnë agimin e ringjalljes dhe dritës, dashurisë dhe shpresës.
“Fuqia e dashurisë për njeriun dhe shpresa për të janë sot më shumë se kurrë të thirrura për të na e përmbushur sprovën. Qoftë kjo Pashkë, e bardhë e mbarë për familjet e të gjithë besimtarëve. Na bëftë më të fortë për t'i duruar mundimet e për ta ndihmuar njëri-tjetrin”, shkroi Kurti.
Ai ka thënë se vitet e fundit kanë kaluar me vështirësi nga pandemia, ndërsa aktualisht një popull i madh, Ukraina, po përjeton luftën e pushtimin, krimet dhe tmerrin e masakrave.
“Qofshin këto kremtime edhe lavd për dashurinë e qëndrueshmërinë e madhe të ukrainasve për atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë aty dhe në të gjithë Evropën”, shtoi kryeministri kosovar.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se “Pashka është festë e cila shënjon fazën e jetës së re dhe ringjalljen e Krishtit”.
Ai tha se kjo festë është simbol i fitores së të mirës mbi të keqen dhe rikthimi i virtyteve shpirtërore.
“Besimi i pastër, jeta dhe dashuria e vërtetë nuk mbarojnë dhe as nuk vdesin kurrë. Prandaj, mbushni jetën tuaj me shpresa, energji, vitalitet dhe aspirata të reja! Uroj që të gjeni gjithmonë paqe dhe lumturi në zemrat tuaja”, shkroi Konjufca në urimin e tij.
Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera.
Për shkak të kësaj feste, e hëna do të jetë ditë pushimi për institucionet shtetërore në Kosovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
