BALLKANI

Kosovë, gjykata refuzon dëgjimin e 9 dëshmitarëve shtesë në rastin "Banjska"

Dy të akuzuarit, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq nuk u deklaruan ndërsa Dushan Maksimoviq deklaroi se nuk është fajtor për akuzat

Agim Sulaj  | 16.01.2026 - Përdıtësım : 16.01.2026
Kosovë, gjykata refuzon dëgjimin e 9 dëshmitarëve shtesë në rastin "Banjska" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë në gjykimin për sulmin në Banjskë, ku të akuzuar janë Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, raporton Anadolu.

Trupi gjykues vlerësoi se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja nuk do të kishin ndikim në vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së të pandehurve, duke theksuar se, sipas aktakuzës, Maksimoviq ngarkohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.

Po ashtu, gjykata refuzoi edhe kërkesën për nxjerrjen e ekspertizës lidhur me krahasimin e uniformave, duke arsyetuar se një vlerësim i tillë mund të bëhet drejtpërdrejt nga fotografitë ekzistuese në lëndë.

Gjykimi në këtë rast ka vazhduar pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti "Banjska" që më herët drejtohej nga gjyqtari Arben Hoti, tash udhëhiqet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.

Në seancë u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar. Dy të akuzuarit, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq nuk u deklaruan ndërsa Dushan Maksimoviq deklaroi se nuk është fajtor për akuzat.

Prokurori special Naim Abazi kundërshtoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve shtesë, duke thënë se ata nuk kanë relevancë dhe nuk dëshmojnë për atë që ka ndodhur konkretisht në Banjskë, por synojnë ndërtimin e një narrative të përgjithshme të mbrojtjes, në kundërshtim me provat materiale dhe personale të dorëzuara nga prokuroria.

Gjykata njoftoi se seancat e radhës do të mbahen më 18, 19 dhe 20 shkurt ndërsa në seancën e parë pritet të dëgjohet një dëshmitar i propozuar më herët.

Ndërkohë, Gjykata Themelore ka refuzuar edhe propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë në rastin "Banjska" të zhvillohet në mungesë, pas sqarimit të Gjykatës Supreme se nuk jep mendime juridike për dilemat procedurale të shkallës së parë. Për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre.

Të akuzuarit e rastit "Banjska" ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t'ia bashkojnë Serbisë, me ç'rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë si dhe e popullatës civile.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın