Agim Sulaj
09 Nëntor 2021•Përditësim: 09 Nëntor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit asnjë person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të mbetet në 2.978, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 11 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 160.891.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 1.719 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.284.910 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 26 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 157.466, ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 447.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 3.658 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.585.044 doza të vaksinës. Deri më sot 742.830 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Gjithashtu, ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19, për vaksinimin edhe të qytetarëve jo-kosovarë me vaksinën kundër COVID-19 në Kosovë.
Sipas ministrisë, një gjë e tillë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në periudhë të fund-vitit "kur ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë dhe kur institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë".