Agim Sulaj
26 shkurt 2022•Përditësim: 26 shkurt 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se 1 person i infektuar me COVID-19 ka ndërruar jetë, derisa numri i viktimave nga ky virus ka shkuar në 3.112, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 119 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 226.112.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 1.818 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.760.585 teste.
Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 500 persona që kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 220.619, ndërsa numri i rasteve aktive është 2.381.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 762 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.812.244 doza të vaksinës. Deri më sot 815.521 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.