BALLKANI

Kosova shënon 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet u bënë shtetet më të reja që gjatë vitit 2025 e njohën pavarësinë e Kosovës

Agim Sulaj  | 17.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Kosova shënon 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Prishtinë

AGIM SULAJ -

Janë bërë 18 vjet që kur shteti më i ri në kontinentin evropian, Kosova, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.

Kosova deri tani është njohur nga mbi 120 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para pas shpalljes së Pavarësisë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Franca, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

- Hapat deri tek pavarësia e Kosovës

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Slobodan Milosheviqit në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si "Trazirat e Marsit", 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.

Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar "autonomi të mbikëqyrur".

Në linjë me Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës "nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar".

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqia, e njohën menjëherë. Sot, më shumë se 120 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur, Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet u bënë shtetet më të reja që gjatë vitit 2025 e njohën pavarësinë e Kosovës.

- Viti 2025, viti i dy zgjedhjeve të përgjithshme dhe një lokale

Viti 2025 ishte vit i paprecedent politik dhe zgjedhor. Brenda këtij viti Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë bëri punë maratonike duke organizuar tre zgjedhje. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, më 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, por, të cilat nuk u konkretizuan me formimin e institucioneve më pas.

Për muaj të tërë pas 9 shkurtit nuk u arrit të formohej qeveria e re, negociatat për një koalicion të qëndrueshëm u zvarritën përgjatë gjithë vitit dhe Kuvendi mbeti i bllokuar derisa vendi qeverisej nga Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti.

Më 12 tetor 2025 u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat nuk arritën të zhbllokonin çështjet politike dhe si pasojë, presidentja shpalli 28 dhjetorin 2025 si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat i fitoi përsëri Lëvizja Vetëvendosje dhe në shkurt të vitit 2026 formoi qeverinë e re.

- Katër njohje të reja të pavarësisë së Kosovës në vitin 2025

Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet u bënë shtetet më të reja që gjatë vitit 2025 e njohën pavarësinë e Kosovës.

Këto njohje përbëjnë një hap përpara në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe zgjerimin e pranisë së saj diplomatike në rajone ku më parë kishte pasur angazhim të kufizuar.

Njohjet nga vende me peshë rajonale në Afrikë dhe Lindjen e Mesme u interpretuan si rezultat i një diplomacie më aktive dhe si sinjal i një momentumi të ri në përpjekjet për konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

- Vazhdon ngërçi në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.

Hera e fundit që krerët e shteteve fqinje u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e lehtësuesve të BE-se, ishte 14 shtatori 2023.

Nga 1 shkurti 2025 përfaqësues i BE-së për lehtësimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi me një mandat fillestar prej 13 muajsh, u emërua Peter Sorensen, i cili është pasues i Miroslav Lajçak.

Sorensen ende nuk ka arritur t'i ulë në një tavolinë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, por tha së fundmi se atë që nuk arritën ta bëjnë gjatë vitit 2025, do ta bëjnë gjatë vitit 2026.

Nga një takim i kryenegociatorëve Kosovë-Serbi në Bruksel, në muajin janar të vitit 2026, u arrit marrëveshje që të funksionalizohet komisioni i përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Dakordësimi për funksionalizimin e kësaj komisioni tregon një hap konkret midis dy palëve për të trajtuar një nga çështjet më të ndjeshme të periudhës së pasluftës dhe është konsideruar nga ndërmjetësit evropianë si një arritje e rëndësishme e vitit 2026 në kuadër të dialogut, edhe pse bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në tërësi vazhdojnë të jenë sfiduese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.