Turqia, BALLKANI

Në Ankara kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës

Në pritjen e organizuar në një hotel në kryeqytetin e Turqisë nën mikpritjen e Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, ambasadorë të akredituar në Ankara si dhe shumë të ftuar

Gökhan Çeliker  | 17.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Në Ankara kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës Burimi: Ambasada e Kosovës në Ankara

Ankara

Dita e Pavarësisë së Kosovës u kremtua me një pritje të organizuar në Ankara, raporton Anadolu.

Në pritjen e organizuar në një hotel në kryeqytetin e Turqisë nën mikpritjen e Ambasadorit të Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, ambasadorë të akredituar në Ankara si dhe shumë të ftuar.

Pritja filloi me intonimin e himneve të dy vendeve.

Vrenezi, në fjalën e tij, theksoi se po festojnë 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur kënaqësinë për mikpritjen e të ftuarve.

Pritje për pavarësinë në Ankara: Turqia dhe Kosova ndajnë histori të rrënjosur thellë dhe frymë të fortë vëllazërie

Duke dhënë informacione lidhur me procesin që çoi në pavarësinë e vendit të tij, Vrenezi tha: "Kosova është fuqishëm e përkushtuar ndaj synimeve për anëtarësim në NATO dhe për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Këto synime nuk janë vetëm zgjedhje politike, por orientimi natyror i Kosovës dhe vizioni i saj i qartë për të ardhmen".

Vrenezi tërhoqi vëmendjen mbi marrëdhëniet e mira ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, duke theksuar se Ankaraja dhe Prishtina kanë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme.

"Turqia ka qenë një mbështetëse e rëndësishme dhe e vendosur në përkrahjen e pavarësisë sonë, në procesin e ndërtimit të shtetit dhe në njohjen tonë në arenën ndërkombëtare. Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ka një vend të veçantë në këtë proces. Lidhjet ndërmjet popujve tanë janë forcuar jo vetëm nga historia, por edhe nga marrëdhënie të forta njerëzore", tha Vrenezi, duke falënderuar diasporën e Kosovës në Turqi.

Vrenezi theksoi se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve është forcuar ndjeshëm vitet e fundit, duke thënë: "Turqia është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në sektorin e mbrojtjes dhe ka dhënë kontribute të vlefshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s".

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike Turqi-Kosovë, Vrenezi tha se Turqia është bërë një nga partnerët e rëndësishëm ekonomikë të vendit të tij.

"Në emër të Kosovës, i shprehim falënderimet tona të sinqerta Turqisë dhe presidentit të nderuar Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe konsolidimin e vendit të saj në komunitetin global", shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın