Kosovë, Qeveria lanson platformën për punësimin e të rinjve
Kryeministri Kurti tha se rinia kosovare është aset i së tashmes dhe potencial i së ardhmes dhe kujdesi në ta sot është investim në Kosovë të nesërmen
Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka lansuar platformën e punësimit "Superpuna" e lansuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila synon të lehtësojë qasjen në tregun e punës për të rinjtë dhe të ndihmojë bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj, raporton Anadolu.
Në lansimin e kësaj platforme "online", mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Qeveria në vazhdimësi ka hartuar dhe përkrahur politikat që synojnë nxitjen e punësimit dhe qasjen më të lehtë në tregun e punës për të gjithë pa dallim.
Ai tha se rinia kosovare është aset i së tashmes dhe potencial i së ardhmes dhe kujdesi në ta sot është investim në Kosovë të nesërmen.
"Lansimi i platformës 'Superpuna,' angazhim i kamotshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë dhe e shënon përmbushjen e premtimit të Qeverisë për të ndërtuar një fuqi punëtore të aftë e cila do të rrisë edhe më tej ekonominë e vendit", theksoi Kurti.
Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se premtimi i Qeverisë ka qenë që për secilin të ri nga mosha 18 deri 25 vjeç ta ketë punën e garantuar dhe mbështetur nga Qeveria e Kosovës.
Murati tha se pilotimi i këtij projekti do të jetë me mbështetje prej 6 muaj për secilin të ri që hyn në tregun e punës për herë të parë me një pagë efektive prej 264 euro si ndihmë nga Qeveria, me mundësinë që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë.
"Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme të automatizuar të mundësohet që qysh në vitin e parë të kemi mbështetjen e deri në 10 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë tanë të moshave 18 deri 25 vjeç", theksoi Murati i cili tha se bizneset do të përfitojnë mbështetje dhe gjetje të fuqisë punëtore, ndërsa i punësuari do të marrë pagë të garantuar për 6 muaj dhe në fund të kësaj periudhe do të ketë marrë aftësi të reja që i mundësojnë të bëhet i punësuar afatgjatë në kompaninë përkatëse.
Ai tha se platforma automatizon shumicën e proceseve me synim që të sigurohet objektiviteti në procesin e përzgjedhjes së aplikuesve e cila bëhet nga punëdhënësi.
Në platformën online të lansuar nga Qeveria mund të mbështetn mijëra aplikime brenda një dite të vetme, pa pasur kufizim fizik të numrit të personave që aplikojnë.
Platforma "Superpuna" mbështet deri 30 për qind të stafit të rregullt të një biznesi me tavanin e numrit prej 50 personave për një biznes.
