Zylfije Adem Jakupi
26 Shkurt 2020•Përditësim: 27 Shkurt 2020
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë përuruan ekspozitën “Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”. Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njërën nga sallat e Bibliotekës Kombëtare u ekspozuan portrete nga periudha të ndryshme të jetës së një prej aktivistëve më të famshëm të çështjes kombëtare shqiptare, i cili u emërua Hero i Kosovës në vitin 2010. Me ekspozitën shënohen 84 vjet nga lindja e Adem Demaçit (26 shkurt 1936/26 korrik 2018).
Duke iu drejtuar të pranishmëve kryeministri Kurti tha se Demaçi ka qenë aktivisti më unikat dhe më me ndikim shqiptar, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi luftës për të drejtën e popullit të tij.
"Kur shqiptarët nuk kishin shkollë, Demaçi ishte mësues, kur nuk kishte Universitet ai ishte intelektuali i tyre, ndërsa kur nuk kishin ushtri ai ishte ushtar. Baca Adem tërë jetën e tij ia ka kushtuar idealit të popullit shqiptar”, tha Kurti.
Ai theksoi se Demaçi e dinte se një popull i shtypur ekziston derisa reziston dhe se vetëm duke punuar së bashku mund të arrihen rezultate.
"Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe i tillë do të jetë ndikimi i tij, borxhi për të ardhmen dhe për shumë gjenerata të ardhshme. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, së bashku me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zotohemi që të sigurohemi shtypjen dhe shpërndarjen e veprës së Adem Demaçit”, tha Kurti.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku tha se ekspozita është për shkak të Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, veçanërisht kryetarit të Shoqatës, Selatin Novosella. Siç theksoi ky koleksion i rrallë i portreteve të Demaçit do të mbahet në Bibliotekë.
Novosella vlerësoi se të gjithë duhet ta mbajnë mend Adem Demaçin kur u venitet dashuria e tyre për atdheun.