Greqia paralajmëron migrantët e parregullt që të largohen nga vendi
Migrantët e parregullt që nuk kanë status refugjati dhe nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare do të konsiderohen "persona që kanë hyrë në vend ilegalisht dhe janë të pranishëm ilegalisht"

Komotini
Sipas një qarkoreje të re të nënshkruar nga ministri grek i Imigracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, migrantëve të parregullt do t'u shpërndahet një formular informacioni që i paralajmëron se "përballen me burgim nëse nuk largohen nga vendi", transmeton Anadolu.
Sipas qarkores së lëshuar si pjesë e politikave të qeverisë për migracionin, ky formular do t'u jepet migrantëve të parregullt që "hyjnë në vend ilegalisht" dhe atyre që ndodhen në qendrat e mbyllura të strehimit të migrantëve, qendrat e pritjes dhe identifikimit si dhe pikat e aplikimit për azil.
Sipas deklaratave në formular, migrantët e parregullt që nuk kanë status refugjati dhe nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare do të konsiderohen "persona që kanë hyrë në vend ilegalisht dhe janë të pranishëm ilegalisht". Në këtë rast, kërkesat e tyre për azil do të refuzohen dhe migrantët e parregullt mund t'i nënshtrohen ndalimit administrativ deri në 24 muaj dhe burgimit nga 2 deri në 5 vjet.
Në formular thuhet se e vetmja mënyrë për të shmangur këto sanksione është të largohen vullnetarisht nga vendi dhe koha më e mirë për ta bërë këtë është para se të aplikojnë për azil.
Formulari thotë se kërkesat për azil të migrantëve të parregullt që kryejnë akte dhune ose paraqesin kërcënime në qendrat e strehimit do të refuzohen menjëherë. Mediat greke e cilësuan këtë hap si një tregues të qasjes më të ashpër dhe ndëshkues të qeverisë në politikën e imigracionit.