BALLKANI

"Ecja e turpit", emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës shkruhen në shesh

Instalacioni "Ecja e turpit" (Walk of shame), është realizuar në sheshin "Ibrahim Rugova" në shenjë proteste, duke vendosur nga një X mbi emrin e secilit deputet

Agim Sulaj  | 19.09.2025 - Përdıtësım : 19.09.2025
"Ecja e turpit", emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës shkruhen në shesh Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Emrat e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fletë të bardha janë vendosur në tokë pranë hyrjes së objektit të Kuvendit për të shprehur protestë për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit edhe kur janë bërë më shumë se shtatë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Anadolu.

Instalacioni "Ecja e turpit" (Walk of shame), është realizuar në sheshin "Ibrahim Rugova" në shenjë proteste, duke vendosur nga një X mbi emrin e secilit deputet.

Organizatori i këtij aksioni, Fatmir Bytyqi, po qëndron para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar konstituimin e Kuvendit për më shumë se 25 ditë.

Ai ka thënë se qëllimi i aksionit të tij është që të vetëdijesohen qytetarët që mos t'i votojnë më deputetët aktualë, pavarësisht partisë politike që ata përfaqësojnë.

Aktualisht puna e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është pezulluar deri më 30 shtator nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të ankesës që ka dërguar partia Lista Serbe, lidhur me votimin ndaras të nënkryetarëve të Kuvendit nga komuniteti joshumicë joserbë dhe nga komuniteti joshumicë serbë, të cilët deri më tani janë votuar në një pako të vetme.

Pas këtij vendimi, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 7 shtator deklaroi se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, gjë e cila ngjalli edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.