BALLKANI

"E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian"

Kryeministri Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian, gjatë konferencës së përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e procesit të integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal dhe luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19)

Fatjon Cuka  | 28.09.2021 - Përdıtësım : 29.09.2021
"E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian"  Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e procesit të integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (A).

Rama dhe Von der Leyen inauguruan Shkollën 9-vjecare "Korb Muça" dhe kopshtin "Evropa" në Bashkinë e Krujës të financuar nga Komisioni Evropian, ku më pas mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Rama: Bashkimi Evropian është një aleat i pazëvendësueshëm

Kryeministri Rama theksoi se Ursula von der Leyen është angazhuar personalisht me gjithë energjitë e saj për të vënë të gjithë kapacitetin e Komisionit Evropian në mbështetje të familjeve që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe sipas tij në mbështetje të vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

"Këtu jemi në një vend që është një dëshmi e gjallë e solidaritetit, frymës së bashkëpunimit, miqësisë dhe vërtetësisë së kësaj marrëdhënie me Bashkimin Evropian. Kjo është një arsye e dukshme, e prekshme, konkrete, për të mos e humbur durimin me Bashkimin Evropian që është vërtetë i lodhshëm në një aspekt që e dimë shumë mirë, por është njëkohësisht një forcë e madhe pozitive në shërbim të njerëzve, në shërbim të shoqërive që bëjnë pjesë në këtë kontinent të bekuar", tha Rama.

Duke folur për ecurinë dhe problemet e procesit të integrimit evropian, Rama tha se "Kemi folur për situatën absurde në të cilën ndodhet Shqipëria në këtë moment si rezultat i bllokimit që Bullgaria i ka bërë Maqedonisë së Veriut dhe faktikisht i një pengmarrjeje, ndërkohë që ne i kemi kryer të gjitha detyrat dhe presim të ulemi në tryezë me Bashkimin Evropian për të filluar negociatat me konferencën e parë ndërqeveritare".

Rama theksoi se kanë folur edhe për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal. "Presidentja e njeh mirë procesin, e mbështet plotësisht procesin dhe e shesh procesin ashtu siç ai është në fakt, një proces në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, por edhe të rritjes së vetë kapaciteteve brenda Ballkanit Perëndimor", u shpreh kryeministri i Shqipërisë, duke theksuar se Bashkimi Evropian është një aleat i pazëvendësueshëm.

Presidentja e KE-së: E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian

Presidentja e Komisionit Evropian gjatë konferencës tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe shtoi se Shqipëria dhe BE-ja janë partnerë.

"Ne po bashkëpunojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe po bashkëpunojmë si partnerë në Ballkanin Perëndimor, duke identifikuar projektet më të mira, për të krijuar vende pune dhe për të lidhur rajonin. Plani i investimeve ekonomike do të krijojë vende pune, do të sjellë rritje ekonomike në rajon, por është thelbësore që të jepet mbështetje për integrimin brenda rajonit, pra të gjashtë partnerët në rajon duhet të ecin përpara me shpejtësi për tregun e përbashkët rajonal", tha presidentja e KE-së.

Von der Leyen u shpreh se po punojmë fort që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Duke folur për Procesin e Berlinit, ajo tha se është plotësisht mbështetëse e fortë e këtij procesi dhe theksoi se do të qëndrojnë në krah të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Unë mendoj se Procesi i Berlinit është kuadri të cilin ne përdorim dhe i cili po e shtyn procesin e integrimit përpara, si kuadër në të gjashtat vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre dhe çfarëdolloj iniciative e cila është brenda përbrenda Procesit të Berlinit dhe e cila është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh", tha Von der Leyen

Në lidhje me luftën kundër pandemisë COVID-19, ajo theksoi se në fokus është rimëkëmbja nga pandemia dhe vaksinimi.

Duke folur për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, ajo tha se "Rritja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shqetësuese. Është thelbësore që të ulet ky tension dhe të kemi rikthim në dialog. Edhe Bashkimi Evropian u ndërtua mbi bazën e dialogut".

Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, presidentja e Komisionit Evropian u takua dhe me presidentin e vendit Ilir Meta.

Von der Leyen pritet të zhvillojë edhe një vizitë në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me zyrtarë të lartë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.