Admir Fazlagikj
16 Korrik 2019•Përditësim: 17 Korrik 2019
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku u takua me homologun e tij, Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu: Ankaraja dhe Shkupi së shpejti edhe aleate zyrtare në NATO
Pas takimit të mbajtur mes dy ministrave dhe takimit të delegacioneve të Ministrive të Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Çavuşoğlu dhe Dimitrov mbajtën një konferencë të përbashlët pë media në të cilën informuan për detajet e bisedimeve në takimet e realizuara.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, tha se "raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë shumë të afërta" dhe se shprehu falënderim të madh për Turqinë për ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.
"Dua të shpreh falënderim të madh ndaj Turqisë për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin tonë në NATO. Siç i thashtë edhe Mevlütit, kjo nuk ndryshon asgjë në thelb për shkak se ne jemi aleatë që nga dita e parë e pavarësisë sonë, por tani edhe formalisht si vend anëtar i ardhshëm i Aleancës do të bëhemi edhe në atë kuptim aleatë të Turqisë mike", tha Dimitrov.
Në konferencën për media, Dimitrov iu referua edhe luftës kundër terrorizmit në Maqedoninë e Veriut dhe çështjes që ka të bëjë me organizatën terroriste FETO, e cila ka struktura në Maqedoninë e Veriut.
“Kur ka një traditë shumë të gjatë të afërsisë dhe miqësisë, është e vështirë të flitet për kushte kur vendet janë shumë të afërta. Nëse vendet janë shumë të afërta patjetër të dominojë mirëkuptimi. Sepse Mevlüt është këtu, arriti dje më 15 korrik, në përvjetorin e tretë të puçit të dështuar, sulmin ndaj Turqisë dhe popullit turk, dua të shpreh solidaritetin tonë në emër të Maqedonisë së Veriut, në emër të popullit maqedonas dhe të gjithë popujve që jetojnë në atdheun tonë”, deklaroi Dimitrov.
“Problemi i mikut tonë është edhe problem i yni. Për sa i përket vullnetit politik do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar. Kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm ndërmjet shërbimeve të inteligjencës. Këtu nuk i kemi plotësisht duart e lira, sepse kemi sistem ligjor vendas dhe ndërkombëtar që duhet të ndjekim. Procedura për këta njerëz po zhvillohet edhe në Gjykatën Themelore Shkupi 1, edhe në Prokurorinë Publike dhe diskutuam për ecuritë e procedurës, çfarë po ndodh e kështu me radhë”, tha më tej Dimitrov.
Poashtu shefi i diplomacisë maqedonase falënderoi homologun e tij turk, si dhe Turqinë dhe TIKA-n, sepse siç tha ai, memorandumi që nënshkruan në muajin janar të këtij viti në Ankara gjatë vizitës së tij zyrtare, menjëherë dha rezultat.
Dimitrov bëri të ditur se bëhet fjalë për projekt të digjitalizimit të Arkivit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, me ndihmë të siguruar përmes miqësisë me Turqinë, mbështetjes dhe TIKA-s, për të cilën tha se ka tashmë rreth 900 projekte në vlerë prej 100 milionë dollarë. Me këtë projekt, sipas Dimitrovit, Ministria e Jashtme tashmë ka një sistem ku arkivat e tyre diplomatike do të jenë shumë më të arritshme për dokumentet dhe hulumtuesit shkencorë.
Pas takimit me Dimitrovin, Çavuşoğlu është takuar edhe me zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin Zoran Zaev.