Saimir Alija
30 Maj 2019•Përditësim: 31 Maj 2019
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, deklaroi se Shqipëria e meritoi rekomandimin pozitiv dhe pa kushte të Komisionit Evropian (KE) për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një konference për mediat një ditë pas prezantimit të progres-raportit të KE-së për Shqipërinë, Cakaj tha se raporti i ri është dëshmi e sukseseve të reja, sipas tij, dëshmi e përmbushjes së të gjithë rekomandimeve të KE-së dhe kushteve të Këshillit.
“KE ka ofruar dëshminë absolute të përparimit përmbajtësor të Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe dhe jo vetëm. Çështja kryesore nuk është thjeshtë se KE ka thënë ‘Po’ për hapjen e negociatave me Shqipërinë, çështja kryesore nuk është se komisioni ka dhënë një rekomandim përmbajtësor për hapjen e negociatave, por është vetë mënyra se si janë paraqitur argumentet dhe mënyra se si është formuluar rekomandimi në favor të Shqipërisë”, tha Cakaj.
Sipas tij, KE nënvizon se Shqipëria është rast shembullor i transformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe vlerësimit sistematik të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Cakajt, Shqipëria që “duam është Shqipëria që vlerëson Evropa”. “Interesi i integrimit evropian duhet të tejkalojë çdo dallim partiak dhe çdo marrëdhënie pozitë-opozitë. Në vend të polemikave, ka ardhur koha e dialogut dhe komunikimit me vendet anëtare. Raporti i Komisionit Evropian nuk është vetëm një moment i ri ndërkombëtar për Shqipërinë sepse krijon kushtet teknike për hapjen e negociatave, por është dhe një shans për grupet politike në Shqipëri për të reflektuar për rrugëtimin evropian të saj”, tha ai.
Më tej gjatë fjalës së tij, Cakaj u shpreh: “Nga sot e tutje qeveria do të vazhdojë në mënyrë intensive dialogun politik me vendet anëtare, për të bërë realitet atë që sot është aspiratë historike, për t’i mundësuar vendit, i cili ka bërë përparime të jashtëzakonshme, hapjen e negociatave”.
Kujtojmë se Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014.