Zülfiya Yakup
13 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Haradinaj, thuhet ne kumtesën e publikuar nga kabineti i tij, gjatë takimit, e njoftoi mysafirin për të arriturat në Kosovë, prioritetet e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, agjendën integruese të Kosovës dhe përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhënë Kosovës në të gjitha etapat, kryeministri Haradinaj kërkoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit britanik për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe jemi të përkushtuar për fuqizimin e partneritetit mes të dyja vendeve”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim, kryeministri i Kosovës gjithashtu shprehu qëndrimin dhe përkushtimin e vendit për arritjen e një marrëveshje finale dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues.
“Votimi i ligjit dhe platformës për dialog në Kuvendin e Kosovës është një tjetër hap i rëndësishëm, që tregon qartë edhe unitetin e institucioneve tona, karshi dialogut”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, sipas njoftimit, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij në të gjitha proceset e rëndësishme dhe në rrugën evropiane të Kosovës.